Një raport i fundit i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë zbuloi se përhapja e AI mund të nxisë një garë për burime të tilla si uji dhe energjia. Me rritjen e kërkesës për energji, lind pyetja nëse kjo teknologji mund të bëhet më miqësore me mjedisin.

AI është në ballë të shumë risive të reja në botë, por pothuajse çdo veprim në pajisjet me AI është i lidhur me qendrat e të dhënave, të cilat konsumojnë sasi të mëdha energjie. Kjo ngre shqetësime nëse zgjerimi i energjisë së rinovueshme mund të përballojë kërkesat energjetike të AI.

Përveç energjisë, një sasi e madhe uji kërkohet gjithashtu për ftohjen e qendrave të të dhënave. Spencer Lamb, i cili drejton operacionet në qendrën KAO Data në Londër, thotë se tashmë ka pasur vështirësi në përmbushjen e kërkesave për qendrat e të dhënave dhe e ardhmja duket edhe më e vështirë me shtimin e kërkesave si rezultat i përhapjes së inteligjencës artificiale.

Raporti i Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë sugjeron që qeveria britanike t’u kërkojë kompanive të teknologjisë raporte zyrtare mbi përdorimin e energjisë dhe ujit. Raporti paralajmëron se përhapja e AI po shkakton rreziqe të mëdha mjedisore që mund të çojnë në konkurrencë për ujin dhe energjinë në të ardhmen.

Pavarësisht vlerave që ofron AI, biologët shprehin shqetësimin për dëmet që mund të shkaktojë infrastruktura e inteligjencës artificiale. Saskia Khl, një biologe në Laboratorin Detar të Plymouth-it, thotë se AI po ndihmon në analizimin e fotove të planktonit dhe se përfitimet nga përdorimi i AI e justifikojnë përdorimin e më shumë se gjysmës së energjisë elektrike të laboratorit.

Gopal Ramchurn, profesor i inteligjencës artificiale në Universitetin e Southampton-it, thotë se vëzhgimi i detajuar i konsumit të energjisë dhe ujit është i nevojshëm për të menaxhuar rreziqet mjedisore. Ai paralajmëron se në rastin më të keq, nëse nuk menaxhohet përdorimi i burimeve natyrore nga këto qendra, do të duhet të zgjedhim se kush do të ketë përparësi në furnizimin me energji elektrike, qendrat e të dhënave apo banorët.