Microsoft thotë se kriminelët kibernetikë rusë përhapin lajme të rreme për Kamala Harrisin

para 13 dite

Microsoft lëshoi një raport duke paralajmëruar se dy grupe ruse përdorën mediat sociale për të përhapur lajme të rreme dhe video rreth Kamala Harrisit, kandidates demokrate për presidente të SHBA-së.

Microsoft thotë se kriminelët kibernetikë rusë përhapin lajme të rreme për Kamala Harrisin Foto: Ilustrim

Clint Watts, menaxher i përgjithshëm i Qendrës së Analizës së Kërcënimeve të Microsoft-it, tha se një “fermë troll” e lidhur me qeverinë ruse prodhoi dhe shpërndau dy video të rreme.

Njëra pretendonte se 59-vjeçarja ishte përfshirë në një aksident me veturë dhe tjetra që tregonte një nga mbështetësit e saj duke sulmuar një mbështetës të republikanit Donald Trumpit.

Të dyja videot e rreme mblodhën miliona shikime dhe videoja e rreme e përplasjes u përhap në disa rrjete sociale përmes një media fiktive në San Francisco që u krijua disa ditë më parë.

“Storm-1679, një grup më i ri që dyshohet se është i lidhur me Kremlinin, ka zhvendosur fokusin nga prodhimi i përmbajtjes për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 në publikimin e videove të rreme që diskreditojnë zëvendëspresidenten Harris”, shtoi Watts.

“Një nga videot, e cila u shpërnda në X menjëherë pasi u postua në Telegram, tregon një billboard të rremë që pretendon për politikën e Harrisit. Postimi pati më shumë se 100 mijë shikime në X në katër orë”, tha Watts.