Gjiganti teknologjik Amazon njeh zyrtarisht Kosovën
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Zyra e Presidencës kanë njoftuar një arritje të rëndësishme për vendin: Kosova tashmë është njohur zyrtarisht dhe është përfshirë në të gjitha platformat e gjigantit teknologjik Amazon.
Sipas njoftimit, kjo përfshirje shënon një hap të madh përpara në zhvillimin dhe transformimin digjital të Kosovës, duke i hapur rrugë bizneseve dhe individëve kosovarë për të depërtuar në tregun global.
Suksesi i arritur vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të zhvilluara në tetor 2024, ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, dhe përfaqësuesve të Amazonit në Ëashington D.C., SHBA.
“Kjo arritje është një rezultat konkret i përpjekjeve të Task Forcës për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka marrë mbështetje të rëndësishme nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë,” thuhet në njoftim.
Mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët kosovarë
Me përfshirjen në Amazon, individët dhe bizneset nga Kosova do të kenë mundësinë të prezantojnë dhe të shesin produktet e tyre para një audience globale, duke nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin.
Ky zhvillim do të lehtësojë gjithashtu qasjen për konsumatorët kosovarë në një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë. Përveç kësaj, bizneset vendore do të kenë mundësi të përdorin shërbime të avancuara si Amazon Web Services (AWS), Amazon Alexa dhe të tjera, që pritet të përmirësojnë operacionet dhe konkurrueshmërinë e tyre.
Diplomacia digjitale në fokus
“Ky përparim është një dëshmi e fuqisë së diplomacisë dhe bashkëpunimit publiko-privat për të avancuar interesat ekonomike dhe zhvillimin e Kosovës,” thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë njoftuar se janë duke zhvilluar takime të tjera me platforma të rëndësishme digjitale, duke theksuar rëndësinë e këtyre bashkëpunimeve për përparimin e sektorit të biznesit dhe ekosistemit digjital në Kosovë.
Një hap drejt së ardhmes
Përfshirja e Kosovës në platformat e Amazonit është një hap drejt integrimit të saj në tregjet globale dhe një mundësi unike për të promovuar inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Me këtë arritje, Kosova po forcon pozicionin e saj si një partner i besueshëm në ekonominë digjitale ndërkombëtare.