20 vjet nga themelimi i Facebook-ut

04.02.2024

Kanë kaluar 20 vjet që nga lansimi i rrjetit social “Facebook”. Më 4 shkurt 2004, atëkohë studenti i Universitetit të Harvardit, Mark Zuckerberg, prezantoi TheFacebook.com, rrjetin social për studentët e tjerë.

20 vjet nga themelimi i Facebook-ut Foto: Ilustrim

Njëzet vjet pas fillimit të tij, gjigandi i rrjeteve sociale vazhdon të tregojë fuqi të pakontestueshme qëndruese.

Facebooku ka më shumë se 2 miliardë përdorues aktivë të përditshëm dhe ka ruajtur një rëndësi të madhe, duke zënë shpesh skenën qendrore në shumë nga debatet kulturore dhe politike.

Facebook e veçoi veten nga platformat e tjera të hershme sociale me ekskluzivitetin e tij fillestar dhe theksin në krijimin e marrëdhënieve shoqërore përmes pëlqimeve, komenteve, ndarjeve dhe numrit të miqve.

Në vitin 2004, Facebooku ishte një faqe vetëm brenda Harvardit. Gjatë muajve dhe viteve të ardhshme, faqja u zgjerua, duke lejuar fillimisht studentët nga kolegjet dhe universitetet e tjera të regjistroheshin, më pas nxënësit e shkollave të mesme dhe profesionistët me email adresa të korporatave.

Lidhja e fortë sociale ishte pika kyçe e Facebookut, duke e dalluar atë nga faqet e tjera, raportoi të dielën CNN-i.

Në prill të vitit 2012, kompania bleu platformën e fokusuar në fotografi, Instagram për rreth 1 miliard dollarë.

Një pjesë e fuqisë qëndruese të Metës mund t’i atribuohet investimit të tij në aplikacionet e mesazheve si Facebook Messenger dhe WhatsApp, të cilat i bleu në 2014 për 16 miliardë dollarë.