U kap me 17 qese marihuanë në Shirokë, ky është 19 vjeçari që u arrestua
Njësia për Hetimin e Narkotikëve në Prizren ka realizuar një aksion të suksesshëm në Suharekë, ku ka arrestuar një të ri që dyshohet se merrej me shpërndarje të narkotikëve.
Foto: Ilustrim
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më 03 tetor 2025, rreth orës 19:10, në fshatin Shirokë të Suharekës, ku është ndaluar i dyshuari R. Kuçi, rreth 20-vjeçar.
Gjatë kontrollit të trupit të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar: 17 qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 41.35 gram, si dhe një telefon i llojit iPhone 11 Pro Max.
Pas arrestimit, i dyshuari dhe dëshmitarët janë shoqëruar në Stacionin Policor të Suharekës, ndërsa Prokurori kujdestar për Krime të Rënda në Prizren ka lëshuar urdhër për kontroll të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.
Kontrolli është kryer në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë, por gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë e dyshuar shtesë.
Pas procedurave dhe intervistimit në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të të dyshuarit R. Kuçi, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”.
Hetimet për këtë rast po i zhvillon Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren./Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.