Tri net magjike në zemër të Suharekës: Diafest 2025 rikthehet me muzikë, valle dhe emocion
Në Suharekë ka nisur edicioni i radhës i festivalit tradicional Diafest, i organizuar nga Komuna e Suharekës përmes Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z. Bali Muharremaj.
Aktivitetet e festivalit zhvillohen për tri net radhazi, më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht 2025, në sheshin e qytetit, duke filluar nga ora 20:30.
Nata e parë e festivalit, e mbajtur më 31 korrik, solli një performancë të pasur artistike nga grupi kulturor “GAM Theranda”, me një program që përfshinte valle e këngë tradicionale, solistë të talentuar dhe një ansambël të plotë muzikor. Udhëheqja artistike dhe ajo orkestrale e natës i ishte besuar Shani Shalës dhe Hektor Kryeziut, të cilët bashkë me dhjetëra këngëtarë, valltarë e instrumentistë krijuan një atmosferë të paharruar për qytetarët dhe mërgimtarët e shumtë të pranishëm.
Sonte, më 1 gusht, në natën e dytë të Diafestit, publiku pritet të shijojë një natë ndryshe me ritmet moderne të DJ Acer, i cili do të performojë drejtpërdrejt në skenën qendrore të sheshit. Muzika elektronike dhe energjia e lartë do të jenë në qendër të mbrëmjes, duke sjellë një dimension tjetër të argëtimit për të rinjtë dhe të gjithë adhuruesit e muzikës bashkëkohore.
Ndërkaq, nata e tretë dhe përmbyllëse do të mbahet më 2 gusht dhe do të karakterizohet nga një koncert i madh me këngëtaren Erëza Qerkini dhe grupin Beska Band. Një mbrëmje që premton emocione të fuqishme muzikore dhe argëtim të garantuar për të gjithë pjesëmarrësit.
Diafest 2025 vazhdon të mbetet një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme të qytetit, duke bashkuar komunitetin lokal me mërgimtarët dhe duke ofruar net të mbushura me art, muzikë dhe traditë. Drejtoria për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë u uron mirëseardhje të gjithë mërgimtarëve dhe fton qytetarët të marrin pjesë në netët e mbetura të festivalit.


