Ministria e Arsimit, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe duke u bazuar në situatën aktuale me pandeminë, ka vendosur që mbajtja e Testit të Arritshmërisë dhe atij të maturës të shtyhet për muajin gusht.

Vendimi nga Ministria e Arsimit u është përcjellur DKA-ve nëpër komuna.

I kontaktuar nga SuharekaOnline, drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani, mendon që shtyerja e afateve të provimeve do të mund të krijojë ngatrrueshmëri në afate, pasiqë kemi afatin e regjistrimit të nxënësve, planifikimi dhe vitit të ri shkollor.

“Ne si komunë kemi bërë të gjitha përgatitjet nëpër shkolla sa i përket masave mbrojtëse kundër covid-19. Me udhëzim të Inspektoriatit të Arsimit të gjitha shkollat i kemi pajisur me dezinfektant, mjete higjienike, termometër me infrared për matjen e temperatures së nxënësve ku shkollat nga buxheti i vet do ti paguajnë ato” ka thënë Bajselmani, shkruan SuharekaOnline.

Ndërkohë, javë më parë ishte vendosur që Testi i Arritshmërisë të mbahej në qershor, e ai i maturës në korrik, mirëpo shtimi i rasteve me të infektuar me Covid-19, ka bërë që Ministria e Arsimit të marrë vendim për shtyrjen e tyre.

Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar më parë shtyrjen e testit duke ngritur shqetësime për shëndetin e nxënësve, dhe ka rekomanduar që testi të mos mbahet deri në krijimin e një ambienti më të sigurt.