Takimi i kryetarëve për masat e reja kundër covid-19, Muharremaj thotë se pret masa më të rrepta

Më së largu të hënën Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me të gjitha komunat e Kosovës, duhet të dalë me masa të reja për mbrojtje nga përpahja e pandemisë covid-19.

Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese datën 13 prill e ka lënë si datën kur edhe hyn në fuqi vendimi i saj i cili e ka vlerësuar si antikushtetuese vendimet aktuale të Qeverisë së Kosovë për kufizimin e lëvizjes.

Për të vendosur bashkërisht për masat pas 13 prillit, pritet që të ketë edhe një takim ndërmjet kryetarëve të komunave konkretisht Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për SuharekaOnline kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

“Po nesër kemi takim në Drenas në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës ku pritet të diskutohet lidhur me masat që do të ndërmerren për secilën komunë” ka thënë Muharremaj.

I pyetur se çka mund të pritet nga takimi i nesërm Muharremaj ka thënë se beson që masa më të rrepta për kufizimin e lëvizjes, me përjashtim të rasteve që duhet dal patjetër.

Derri të hënën më 13 prill do të respektohet kufizimi i cili ka qenë nga ora 17:00 deri në 06:00. Ndryshimin e masave e ka paralajmëruar gjatë ditës edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.