Sulmuan zyrtarët policor, dështon seanca ndaj 3 të akuzuarve nga Suhareka

05.05.2021

Mungesa e dy (D.M dhe Sh.M.) nga tre të akuzuarit u bë shkak që të shtyhet seanca e paraparë për të mërkurën, në rastin ku të njëjtit, së bashku me K.M, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, K.M, D.M dhe Sh.M. po akuzohen se […]

Sulmuan zyrtarët policor, dështon seanca ndaj 3 të akuzuarve nga Suhareka Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

Mungesa e dy (D.M dhe Sh.M.) nga tre të akuzuarit u bë shkak që të shtyhet seanca e paraparë për të mërkurën, në rastin ku të njëjtit, së bashku me K.M, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë sulmuar dy zyrtarë policorë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, K.M, D.M dhe Sh.M. po akuzohen se më 2 prill 2020, rreth orës 18:30, në oborrin e shkollës fillore “Flamuri i Arbërit” në fshatin Reshan të Komunës së Suharekës, në bashkëveprim, me dashje sulmojnë personat zyrtarë Arianit Duriqi dhe Ardian Krasniqi, të cilit ishin në kryerje të detyrës zyrtare

Në aktin akuzues thuhet se patrulla policore ishte në lëvizje nëpër fshatrat e Komunës së Suharekës, për të bërë kontrollimin e qytetarëve rreth respektimit të kufizimit të qarkullimit të lirisë së lëvizjes, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kur i vërejnë të pandehurit duke ndenjur në oborrin e shkollës së lartpërmendur.

Sipas aktakuzës, pas tërheqjes së vërejtjes nga ana e zyrtarëve policorë që të respektojnë vendimin e qeverisë, të akuzuarit fillojnë t’i ofendojnë ata. Tutje, thuhet se gjatë arrestimit të të akuzuarve, të njëjtit rezistojnë duke i sulmuar policët, ashtu që i akuzuari K. M. e sulmon fizikisht të dëmtuarin Arianit Duriqi, duke ia shqyer uniformën, e pastaj më grushte e godet në qafë në anën e djathtë.

Tutje, aty thuhet se i akuzuari D.M. me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin Ardian Krasniqi, duke e goditur me duar në gjoks dhe gërvishtur në pjesën e qafës. Sipas aktit akuzues, pas kësaj aty shkon edhe i akuzuari Sh.M., i cili duke tentuar që ta merr të akuzuarin D.M., me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin Ardian Krasniqi.