Suharekë: Shtyhet seanca në rastin ku djali së bashku me gruan ushtrojnë dhunë ndaj nënës së tij

22.06.2021

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, në mungesë të dëmtuarës H.M. ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku D.L. akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa N.M. akuzohet se ka kryer veprën penale “dhuna në familje”. Gjykatësi Qemajl Suka tha se e dëmtuara është ftuar në mënyrë të […]

Suharekë: Shtyhet seanca në rastin ku djali së bashku me gruan ushtrojnë dhunë ndaj nënës së tij Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, në mungesë të dëmtuarës H.M. ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku D.L. akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa N.M. akuzohet se ka kryer veprën penale “dhuna në familje”.

Gjykatësi Qemajl Suka tha se e dëmtuara është ftuar në mënyrë të rregullt, por përmes fletëkthesës gjykata është njoftuar se e njëjta gjendet në perëndim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në sallë të gjykimit ishin prokurori Naim Gashi dhe dy të akuzuarit.

Në këto rrethana, seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar, kurse ndaj të dëmtuarës gjykatësi Suka ka lëshuar urdhër arrest të hapur.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, D.L. akuzohet se me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore vjehrrës së saj. Aty thuhet se një gjë e tillë kishte ndodhur në momentin kur e dëmtuara i pengon fëmijët të mos e godasin murin e shtëpisë me top, për çka e pandehura e shtynë atë, e cila më pas rrezohet në tokë. Me këto veprime thuhet se të dëmtuarës i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kurse, N.M. akuzohet për veprën penale “dhuna në familje”, pasi thuhet se kur e dëmtuara (nëna e të pandehurit) ishte ankuar te i pandehuri për atë se çfarë kishte ndodhur si në dizpozitivin e parë, i pandehuri e keqtrajton atë emocionalisht duke i thënë “mirë ta kanë ba, kam me të mbytë, ti gjallë e unë gjallë jo”.

Me këto veprime, thuhet se te nëna e tij i pandehuri ka shkaktuar ndjenjën e frikës, shqetësimit dhe rrezikshmërisë personale. /BetimipërDrejtësi