Suharekë: Mungon i pandehuri, shtyhet gjykimi për vjedhje të shërbimeve komunale

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore ne Prizren, dega në Suharekë, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, G.M.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të pandehurit si dhe dëshmitarëve A.M, E.M, M.A.

Ftesës nuk i është përgjigjur as përfaqësuesja ligjore e palës së dëmtuar, KEDS-it, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të pandehurit, dëshmitarëve si dhe përfaqësueses ligjore të KEDS-it, gjyqtari Lavdim Bajraktari ka konstatuar se ka prova që të njëjtit janë ftuar me rregull, por tha se mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Për të pandehurin gjyqtari Bajraktari ka lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë nga policia për seancën e radhës, të cilën e caktoi të mbahet më 24 mars 2020, në ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 20 mars 2019, Gëzim Mahmutaj akuzohet për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.

Sipas aktakuzës, G.M,  me 6 tetor 2018, në shtëpinë e tij në fshatin Sllapuzhan të Komunës së Suharekës, me qëllim që të përfitoj nga shërbimi komunal përmes rrjetit përçues të rrymës, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar, ka krijuar lidhje direkte jashtë njehsorit elektrik dhe ka shfrytëzuar energjinë elektrike pa matje, ashtu që energjia elektrike e shpenzuar nuk është regjistruar, me ç’rast ndërmarrjes së dëmtuar KEDS-Distrikti në Prizren i ka shkaktuar dëm./Betimipërdrejtësi/