Nuk kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që Komuna e Suharekës është nderuar me Mirënjohje, për kontributin e dhënë në fushatën “Ta pastrojmë Kosovën 2018” që ka zgjatur nga data 15 shtator deri me 15 dhjetor 2018, po ashtu për aktivitetin e pastrimit, fitoi grantin në vlerë prej 100.000 euro.

Po ashtu Komuna e Suharekës është renditur e para në Listën e Komunave me ambientin më të pastër, Komuna jonë ka përqindjen më të lartë të largimit të mbeturinave ku kemi pastruar rreth 153 zona të deponive ilegale.

Edhe përkundër thirrjeve të Komunës dhe organeve kompetente për mbajtjen pastër të ambientit një gjë e tillë nuk po respektohet nga qytetarët.

Përmes disa foto që ka postuar Kryetari i Suharekës, z.Bali Muharremaj, ku shihet hudhja e mbeturinave në prona publike, ai ka thënë se kjo është e turpshme.

“Hudhja e mbeturinave në hapsira publike, ku ka banim kolektiv e shëmton pamjen tonë të përditshme”, shkruan Kryetari Muharremaj.

Po ashtu, Kryetari Muharremaj ka njoftuar Policinë dhe Inspekcionin dhe do të veprohet konform ligjëve në fuqi, për ti gjobitur shkelësit.