Si shkoi dita e I-rë me masa të reja në Suharekë, flet komandanti i policisë, Afrim Sylaj

Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve, është parapa e domosdoshme që të ndërmerren masa të reja të cilat janë ndërmarrë me këshilla të ekspertëve për parandalimin e përhapjes së pandemisë covid-19.

Në pyetje janë masat e Qeverisë së Kosovës, të paralajmëruara të hënën mbrëma nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, sipas të cilave qytetarëve u lejohet lëvizja në periudhë të caktuar kohore.

Nga mëngjesi i së mërkures, qytetarët në Kosovë mund të lëvizin jashtë shtëpive të tyre vetëm 90 minuta në ditë, sipas orarit të bazuar tek shifra e parafundit e numrit personal.

Gjatë ditës SuharekaOnline ka raportuar se zbatimi i masave ka nisur edhe në qytetin e Suharekës ku në bazë të pikave të kontrollit të Policisë së Kosovës të cilat janë vizituar nga redaksia është vërejtur që Policia ka intensifikuar kontrollin nëse qytetarët po ju përmbahen orareve të caktuara.

I kontaktuar nga SuharekaOnline komandanti i stacionit policor në Suharekë, Afrim Sylaj, ka treguar se qysh në orët e mëngjesit policia ka filluar patrollimin nëpër qytet, fshatra dhe lagje, gjithashtu edhe pikat mobile në hyrje-dalje të Komunës së Suharekës.

Komandanti Afrim Sylaj gjithashtu ka bërë të ditur se shihet një vetëdijësim nga ana e qytetarëve lidhur me seriozitetin e situatës por gjithsesi ende ka paqartësi lidhur me masat e reja, për çka ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të përcjellin me vëmendje rekomandimet e institutit dhe ti respektojnë vendimet për kufizimin e lëvizjes.

Hyrje-Daljet në fshatin Greikoc

I pyetur nëse gjatë ditës së parë të masave të reja në Suharekë është gjobitur ndonjë qytetar, Sylaj, ka thënë se sot më shumë ka qenë ditë informuese me ç’rast ka falënderuar qytetarët për durimin dhe vullnetin për ta kaluar këtë situatë së bashku.

Së fundmi komandanti edhe njëherë ka apeluar tek qytetarët që të shmangin daljet e panevojshme, të respektojnë rekomandimet e institutit, të respektojnë vendimet e ministrisë për kufizimin e lëvizjes dhe përdorimin e mjeteve mbrojtëse gjatë lëvizjes dhe se Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve 24/7.

Patrollimi brenda në qytetin e Suharekës
RAPORTO