Suharekë, dërgohet në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit se sulmoi dy vajza

09.12.2021

Këtë propozim e ka bërë i akuzuari A.B, i cili tha se e ka kuptuar akuzën dhe kërkon që lënda të dërgohet në ndërmjetësim, si procedurë alternative. Prokurori Shahadin Destani si dhe të dëmtuarat S.E dhe S.B nuk e kanë kundërshtuar këtë propozim, raporton “Betimi për Drejtësi”. Më pas, gjyqtari Qemail Suka ka aprovuar propozimin […]

Suharekë, dërgohet në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit se sulmoi dy vajza Foto: Ilustrim

Këtë propozim e ka bërë i akuzuari A.B, i cili tha se e ka kuptuar akuzën dhe kërkon që lënda të dërgohet në ndërmjetësim, si procedurë alternative.

Prokurori Shahadin Destani si dhe të dëmtuarat S.E dhe S.B nuk e kanë kundërshtuar këtë propozim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, gjyqtari Qemail Suka ka aprovuar propozimin dhe lëndën e ka dërguar në ndërmjetësim.

Sipas gjykatësit Suka, në afatin prej 90 ditësh duhet të arrihet marrëveshja mes palëve.

Aktakuza ngarkon A.B se më 29 qershor 2021, në Suharekë, në zyrën e një firme, me dashje përdorë forcën dhe iu shkakton lëndime trupore të dëmtuarave S.E dhe S.B.

Në aktakuzë thuhet se derisa e dëmtuara S.E, së bashku me fqinjen e saj S.B, kishin shkuar për të biseduar me administratoren e firmës së lartcekur, P.B, lidhur me një problem të orës së rrymës, gjatë bisedës, në momentin kur P.B kërkon që dy të dëmtuarat t’ia lirojnë zyrën, aty ndërhyn i pandehuri A.B- djali i P.B.

I akuzuari thuhet se fillimisht e kapë të dëmtuarën S.E për krahu dhe e sulmon duke e shtyrë, ku e njëjta pëson lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit. Kurse, për t’i ndarë S.E dhe A.B ndërhyn e dëmtuara S.B, e cila sulmohet nga i pandehuri A.B, ku si pasojë e këtij sulmi e njëjta pëson lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi