Suharekë: Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për dy vepra penale, ndaj të akuzuarit të dytë shpallet aktgjykim refuzues

01.07.2021

500 euro gjobë është dënimi unik që Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka shqiptuar ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor në bashkëkryerje dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë, F.B. Kurse, ndaj të akuzuarit tjetër për lëndim të lehtë trupor, vepër të cilën thuhej se e ka kryer në bashkëkryerje me të […]

Suharekë: Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për dy vepra penale, ndaj të akuzuarit të dytë shpallet aktgjykim refuzues Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

500 euro gjobë është dënimi unik që Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka shqiptuar ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor në bashkëkryerje dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë, F.B.

Kurse, ndaj të akuzuarit tjetër për lëndim të lehtë trupor, vepër të cilën thuhej se e ka kryer në bashkëkryerje me të akuzuarin e parë, gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues. Kjo pasi prokurorja Mehreme Hoxha ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Fillimisht, në seancën e mbajtur të enjten palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Hoxha ka bërë të ditur se heq dorë nga ndjekja penale për të akuzuari Y.B, kurse ka kërkuar dënimin e të akuzuarit tjetër, F.B.

“Ngelem pranë aktakuzës ndaj të akuzuarit F.B, ku i propozoj gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit. Ndërsa sa i përket të akuzuarit Y.B, heq dorë nga aktakuza, sepse gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk është provuar se i akuzuari Y.B ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor””, ka thënë prokurorja Hoxha në fjalën e saj përfundimtare.

Kurse, i akuzuari F.B ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shpallet aktgjykim lirues.

Pas kësaj, gjykatësi Qemail Suka ka shpallur aktgjykimin në këtë rast.

Ndaj Y.B u shpall aktgjykim refuzues, përderisa F.B u dënua me 300 euro gjobë për veprën e lëndimit trupor në bashkëkryerje, kurse me 200 euro gjobë për veprën e asgjësimit dhe dëmtimit të pasurisë. Ndaj tij u shqiptua dënimi unik në shumën prej 500 euro.

I njëjti ngarkohet edhe me shpenzimet gjyqësore në vlerën prej 70 euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 23 nëntor 2020, F.B dhe Y.B, më 27 shtator 2020, rreth orës 23:30 minuta, në fshatin Savrovë të Komunës së Suharekës, duke vepruar në bashkëveprim, e kanë sulmuar të dëmtuarin A.K.

Aty thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte shkuar që të takohej me D.B. dhe ishte duke pritur këtë të fundit në vendin e lartcekur, në atë moment nga shtëpia dalin të pandehurit me automjetin “Golf 2” të cilën e drejtonte F.B, me të cilin automjet godet automjetin e të dëmtuarit, e më pas dalin dhe e sulmojnë këtë të fundit me grushte dhe shqelma.

Me këto veprime ata thuhet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, F.B me datë dhe kohë të njëjtë, me dashje dhe me qëllim godet automjetin e të dëmtuarit, me ç’rast i shkakton dëm material.

Me këto veprime, F.B thuhet se ka kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, paragrafi 1 të KP-së. /BetimipërDrejtësi