Suharekë, dënohen 500€ gjobë pasi pranuan se në bashkëkryerje e kanë rrahur vëllanë e tyre

30.11.2021

Fillimisht, të akuzuarit B.Z dhe L.Z, e kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, raporton “Betimi për Drejtësi”. Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Elfete Purova, i akuzuari B.Z, e pranoi fajësinë dhe premtoi se veprime të ngjashme nuk do të përsëriten nga ai. […]

Suharekë, dënohen 500€ gjobë pasi pranuan se në bashkëkryerje e kanë rrahur vëllanë e tyre Foto: Ilustrim

Fillimisht, të akuzuarit B.Z dhe L.Z, e kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Elfete Purova, i akuzuari B.Z, e pranoi fajësinë dhe premtoi se veprime të ngjashme nuk do të përsëriten nga ai.

“Ndihem fajtor dhe veprime të ngjashme nuk do të përsëriten më’’, u shpreh i akuzuari B.Z.

Njëlloj është deklaruar edhe i akzuzuari i dytë, L.Z, duke thënë “veprime të tilla nuk do të bëj më”.

Mbrojtësja e të akuzuarit B.Z, avokatja Nadire Hoxha, i ka propozuar gjyaktës që gjatë shqiptimit të dënimit të ketë parasysh që i mbrojturi i saj ka pranuar fajësinë qysh në polici, prokurori e tani edhe në gjykatë dhe i njëjti është penduar thellë.

Sipas saj, edhe i dëmtuari A.Z ka kërkuar që të akuzuarit të mos ndiqen penalisht dhe ka hequr dorë nga kërkesa pasuroro-juridike.

Në këto rrethana, gjyqtari Qemail Suka ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe të akuzuarit i ka dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 250 euro, secilin veç e veç.

Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar që për ekspertizë mjeko- ligjore ta paguajnë shumën 10 euro, ndërsa në emër të kompensimit të vitkimave të krimit shumën prej 30 euro, secili veç e veç.

Sipas aktakuzës, B.Z dhe L.Z, më 24 korrik 2021, në fshatin Bllacë të Komunës së Suharekës, në oborrin e shtëpisë së tyre, me qëllim që t’i shkaktojnë lëndime trupore përsonit tjetër, në bashkëkryerje, e sulmojnë të dëmtuarin- vëllanë e tyre A.Z.

Pas një mosmarrëveshje paraprake mes tyre, i akuzari B.Z fillimisht e fyen dhe shanë të dëmtuarin, ndërsa i pandehuri L.Z e kapë të dëmtuarin me duar, e më pas e mban për qafe, ashtu që i akuzuari B.Z e grushton duke e goditur me grushte fytyrës dhe në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime trupore.

Me këto veprime, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi