Suharekë, arrestohen pesë persona për vjedhje, përdorim të armës dhe blerje të sendeve të vjedhura
Sektori i Hetimeve në Suharekë ka arrestuar pesë persona të dyshuar për vjedhje, përdorim të armës dhe blerje të sendeve të vjedhura. Arrestimet erdhën pas një hetimi të organizuar mirë operativ dhe hetimor.
Të arrestuarit janë identifikuar si E.B. (lindur në vitin 2007), V.Z. (lindur në vitin 2007), L.M. (lindur në vitin 2007) dhe A.Z. (lindur në vitin 2007). Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 16 mars 2025, kanë kryer një vjedhje në shtëpinë e një viktime, duke marrë sende materiale dhe një armë zjarri të kalibrit 7.62 mm.
Pas vjedhjes, të dyshuarit dyshohet se kanë shtënë me armën e zjarrit në një fushë të hapur. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar shtatë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe prova të tjera materiale.
Gjatë hetimit, policia ka identifikuar edhe një të dyshuar tjetër, A.M. (lindur në vitin 1993), i cili dyshohet se ka blerë armën dhe sendet e vjedhura nga të dyshuarit e tjerë.
Me vendim të prokurorit, A.M. është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armës” dhe “Blerje e sendeve të vjedhura”.
Katër të dyshuarit e tjerë janë ndaluar gjithashtu në mbajtje dhe ndaj tyre do të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Vjedhje” dhe “Përdorim i armës”.