Suharekasi i ardhur nga Mali i Zi me covid-19 mund të lirohet në shtëpi për vetizolim

Mbrëmë është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus në Suharekë, duke e dërguar numrin në katër persona, prej të cilëve një është shëruar.

I infektuari ka ardhur dje nga Mali i Zi dhe është dërguar menjëherë në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë. 

Përmes një njoftimi Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se personat që gjenden në Qendrën e Studentëve dhe që kanë rezultuar pozitiv në Covid-19 do të dërgohen në Klinikën Infektive.

Nëse nuk manifestojë shenja të sëmundjes, do të nënshkruajnë një Deklaratë nën betim, me të cilën do të vetizolohet në shtëpi, nëse kanë kushte për ta bërë këtë, dhe do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm.

Ky veprim do të koordinohet edhe me strukturat lokale të pushtetit.

Ndërsa personat të cilët kanë rezultuar dje negativ në Covid 19 të karantinës së Qendrës së Studentëve në Prishtinë do të lirohen në shtëpi për të qëndruar në vetkarantinë edhe për dy javë dhe duke respektuar rekomandimet e MSh e IKSHPK-së, që të mos dalin nga shtëpitë e tyre gjatë kohës sa ende do të jenë nën mbikëqyrje.

Shkelja e udhëzimeve të MSh e IKSHPK-së për vetizolimin e obliguar do të dënohet sipas legjislacionit në fuqi për situatat emergjente të shëndetësisë publike.

Në të njëtën kohë, do të vazhdoj testimi edhe i personave që kanë mbushur mbi 2 javë në karantinën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe lirimi nga karantina do të jetë gradual, i bazuar në rezultatet e testeve të bëra nga IKSHPK.

RAPORTO