Suhareka Verari shkëlqen në Panairin e Verës në Londër

para 48 dite

Kompanitë nga Kosova po prezantojnë me sukses produktet e tyre në Panairin prestigjioz “London Wine Fair 2025”, i cili po mbahet në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar.

Suhareka Verari shkëlqen në Panairin e Verës në Londër

Gjatë këtij panairi, prodhuesit kosovarë të pijeve alkoolike po promovojnë gamën e tyre të produkteve dhe po zhvillojnë takime me pjesëmarrës nga e gjithë bota.

Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare po marrin pjesë kompanitë Stone Castle, Bodrumi i Vjetër, Biopak Shpk, Suhareka Verari, Kosova Wine Shpk dhe Dualos Shpk.

Shtandi i Kosovës në panair është mbështetur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Pjesëmarrja e këtyre kompanive është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë midis MINT/KIESA dhe Shoqatës “Enologjia”.

Verërat e Kosovës po tërheqin një vëmendje të konsiderueshme nga vizitorët ndërkombëtarë, të cilët po kanë mundësinë të degustojnë produktet e vendit dhe të shprehin vlerësime pozitive për potencialin e Kosovës në industrinë e verës. Një theks i veçantë vihet në pjesëmarrjen e kompanisë Suhareka Verari.

Përfaqësues nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër kanë vizituar shtandin e Kosovës, duke ofruar mbështetje për kompanitë pjesëmarrëse dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj platforme për promovimin e produkteve vendore.

“London Wine Fair 2025”, i cili nisi më 19 maj dhe përfundon sot, më 21 maj 2025, ofron mundësi të shkëlqyera për kompanitë kosovare për të krijuar lidhje të reja biznesi dhe për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

Etiketat

Ofertat e fundit