Suhareka shënon Ditën Botërore të Hipertensionit me aktivitete vetëdijësuese në sheshin “Fadil Vataj”

para 46 dite

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Hipertensionit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka organizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese me fokus në parandalimin dhe menaxhimin e këtij problemi shëndetësor, i cili prek një përqindje të lartë të popullatës në mbarë botën.

Suhareka shënon Ditën Botërore të Hipertensionit me aktivitete vetëdijësuese në sheshin “Fadil Vataj”

Aktivitetet janë mbajtur në sheshin “Fadil Vataj”, ku qytetarëve u janë ofruar shërbime falas të matjes së tensionit të gjakut, këshillime mjekësore dhe informacione edukuese për një stil jetese të shëndetshëm. Ekipet profesionale të QKMF-së ishin të pranishme për të ndarë njohuritë e tyre dhe për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë më mirë rreziqet që sjell hipertensioni, si dhe mënyrat efektive për ta mbajtur atë nën kontroll.

“Qëllimi i këtij organizimi është vetëdijesimi i qytetarëve për rëndësinë e monitorimit të rregullt të tensionit të gjakut dhe ndërmarrjen e hapave të duhur për ta parandaluar ose menaxhuar në kohë”, thanë përfaqësuesit e QKMF-së.

Në kuadër të këtij aktiviteti, qytetarët patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me profesionistët e shëndetit për faktorët e rrezikut si ushqyerja e pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i duhanit dhe stresi i përditshëm, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e hipertensionit.

Organizimi i këtyre aktiviteteve është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të promovuar shëndetin publik dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat mbeten një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në nivel global.

Dita Botërore e Hipertensionit shënohet çdo vit më 17 maj, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për këtë “vrasës të heshtur” dhe rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm.

Etiketat

Ofertat e fundit