Është duke vazhduar procesi i vaksinimit kundër COVID-19 për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Aktualisht, vaksinimi po vazhdon me intensitet të shtuar që vërtet është inkurajues, ku sipas të dhënave zyrtare që ka siguruar SuharekaOnline deri më tani janë administruar 579,213 doza të vaksinës.

Që nga fillimi i procesit të vaksinimi e deri më sot në Kosovë janë administruar 579,213 doza të vaksinës, ku prej tyre 173,683 qytetarë janë vaksinuar me dozën e parë dhe 202,765 me dozën e dytë.

Nga kjo shifër prin Komuna e Prishtinës me 97,993 doza të dhëna për qytetarët. Ndërsa në Komunën e Suharekës që nga data 07 prill 2021 kur edhe ka filluar procesi i vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti Covid-19, janë dhënë 20,697 doza të vaksinës të llojit Astra Zeneca dhe Pfizer.

Me rritjen e përhapjes së variantit Delta të SARS-CoV-2, Ministria e Shëndetësisë inkurajon dhe iu bën thirrje të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç, e që ende nuk janë vaksinuar të caktojnë sa më parë terminin për vaksinim dhe ata që kanë marrë dozën e parë, të paraqiten sipas orarit të caktuar në qendrën e vaksinimit për t’u vaksinuar plotësisht.