4 Maji është ditë e shënuar e shërbimit të zjarrfikësve, ku shtetet e botës organizojnë aktivitete të ndryshme solemne, në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat që bëjnë zjarrfikësit për t`iu dalë në ndihmë qytetarëve në raste emergjente.

Në këtë ditë të shënuar ndërkombëtare në shtetet e tyre ku veprojnë, zjarrfikësit vizitohen nga institucionet dhe mekanizmat shtetërorë, duke i nderuar me mirënjohje, falënderime, por gjithashtu zjarrfikësit demonstrojnë shkatheshit profesionale që dëshmojnë gatishmërinë emergjente për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në çdo moment.

Qytetarët e Kosovës e në veçanti ata të Suharekës i kanë ende të freskëta pamjet se si zjarrfikësit e Suharekës kishin dhënë një kontribut të madh në Shqipëri në aksionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, saqë edhe ishin nderuar me mirënjohje nga presidenti i Shqipërisë.

Hiç më pak se një para ditës së zjarrfikësve kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kishte shpërndarë një video se si zjarrfikësit e Suharekës kishin shpëtuar jetën e një qeni të ngujuar në tela me xhemba.

Por kjo krenari me zjarrfikësit nuk u vërejt dhe u përcoll në heshtje në ditën e tyre. Të gjithë jemi në dijeni se aktivitetet e shoqëruara me vizita e tubime në këtë kohë pandemie duhet reduktuar sa më shumë por urimet dhe mbështetja institucionale nuk janë të ndaluara.

I kontaktuar nga redaksia e SuharekaOnline Drejtori i Shërbimeve Publike, z.Enver Shabani, ka shprehur shqetësim dhe keqardhje se si dita e zjarrfikësve u ka ikur nga agjenda ditore, mirëpo ka arsyetuar këtë “neglizhencë” për shkak të përballjes me pandeminë.

Ai gjithashtu ka treguar pakënaqësi me pozitën ku gjenden zjarrëfikësit e qytetit dhe mungesën e pajisjeve esenciale për të ushtruar detyrën e tyre.

Edhe pse me një vlerë të madhe për qytetarët e komunës sonë, zjarrëfikësit e qytetit çdo ditë përballen me probleme të shumta. Ndër to është edhe numri i vogël i tyre që për 88,140 banorë sa numëron komuna e Suharekës duhej të kishte 59 zjarrëfikës e në fakt për momentin janë vetëm 13 të tillë që në kalkulim rezulton që për 6780 banorë kanë 1 zjarrëfikës që është në kundërshtim me ligjin i cili thotë se duhet të jetë 1 zjarrëfikës për 1500 banorë.

Zjarrfikësit e Suharekës – SuharekaOnline

Përndryshe ata janë ekipa që i bie ndërmend çdo njërit në rast të ndonjë fatëkeqësie, aksidenti, zjarri apo raste të tjera urgjente, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre ja kanë arritur të menaxhojnë çdo situatë.