Suhareka brenda një jave, numër i vogël i rasteve pozitive dhe dy fitore të njëpasnjëshme të YLLIT

10.05.2021

Edhe gjatë javës së kaluar në Suharekë janë shënuar ngjarje si në aspektin politik, shëndetësor e deri në kulturë dhe sport. Për dallim nga javët e kaluara, java që lam pas është shënuar me numër të vogël të rasteve pozitive me COVID-19 dhe është përmbyllur me fitoren e klubit Golden Eagle Ylli. Politika Kryetari i […]

Suhareka brenda një jave, numër i vogël i rasteve pozitive dhe dy fitore të njëpasnjëshme të YLLIT Foto: Ilustrim

Edhe gjatë javës së kaluar në Suharekë janë shënuar ngjarje si në aspektin politik, shëndetësor e deri në kulturë dhe sport. Për dallim nga javët e kaluara, java që lam pas është shënuar me numër të vogël të rasteve pozitive me COVID-19 dhe është përmbyllur me fitoren e klubit Golden Eagle Ylli.

Politika

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me drejtorin e Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, kjo për ti hapur rrugë hapjes së drejtimit të shëndetësisë në SHMP “Abdyl Ramaj” në Suharekë.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në raportin Indeksi i Transparencës në Qeverisjen Komunale 2020 për 38 komuna të Kosovës, e ka radhitur Komunën e Suharekës në vendin e 16 me gjithsej 78.38 pikë nga 100 të mundshme.

Forumi rinor i LDK-së dega në Suharekë gjatë ditës së dielë, ka zhvilluar aktivitet duke reaguar ndaj qeverisjes aktuale. Ata kanë mbjellur lule dhe kanë stimuluar peshkimin në gropat që gjenden në rrugët e qytetit të Suharekës.

Arsimi

Për institucionet arsimore ishin ditë pushimi data 3 maj dhe 4 maj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, dhe të Pashkëve Ortodokse, në bazë të njoftimit nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ne pajtim me nenin 2 të Ligjit Nr.03/ L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Procesi mësimor  ka vazhduar përsëri nga data 5 maj.

Shëndetësi

Në Komunën e Suharekës java kaluar ka shënuar rënie të numrit të rasteve pozitve, ku një gjë e tillë është bërë e ditur në bazë të raportimeve ditore nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur se brenda një jave në Komunën e Suharekës janë identifikuar 6 raste pozitive dhe është regjistruar një viktimë e moshës  59 vjeçare.

Në një prononcim për SuharekaOnline, Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale,Besa Kuqi kishte bërë te ditur se bilanci  i të vaksinuarve gjatë javës së kaluar në Komunën e Suharekës ka arritur në 580 qytetarë.

Siguria

Në aspektin e sigurisë rastet të cilat janë raportuar në Komunën e Suharekës gjatë javës së kaluar janë kryesisht vjedhjet,sulmet fizike dhe një tentim vetvrasje.

Gjithashtu gjatë javës së kaluar është arrestuar edhe personi I dytë I përfshirë në rastet e vjedhjes në Budakovë, janë raportuar dy raste të shpërthimit të zjarrit në dy depo, një vetaksident në Delloc etj.

Kulturë dhe Sport

Brenda hapësirës së Qendrës Rinore në Suharekë, në mesin e familjarëve, miqve e shumë autorëve të enjten është promovuar libri ”Anembanë” nga grupi letrar ”Shqipet tona” me iniciator Qendrim Gashi nga Suhareka.

Golden Eagle Ylli brenda javës ka shënuar dy fitore ndaj Pejës, në dy ndeshjet e para të finales së Superligës.

Në ndeshjen e fundit të Golden Eagle Ylli ndaj Pejës u dalluan Erjon Kastrati me 15 pikë e 7 asistime, Valon Bunjaku me 15 pikë e 7 asistime, Demetris Morant me 17 pikë e 10 kërcime, Gëzim Morina me 14 pikë e 6 kërcime dhe Elyjah Clark me 12 pikë e 7 kërcime.