Situatë e rëndë raportohet edhe në fshatin Sllapuzhan të Suharekës, ku banorët po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike. Lidhur me këtë gjendje ka folur kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka ndarë edhe një rast prekës nga kjo zonë.

Sipas tij, një i moshuar nga fshati i ka dërguar një video gjatë mbrëmjes, e cila e ka prekur thellë.

“Mbrëmë një i moshuar ma ka dërguar një video dhe më ka ardhur shumë rëndë. Veç me shku unë si kryetar me ja ble një agregat dhe me ia siguru nja 100 litra derivate edhe me pas rrymë për festat e fundvitit”, ka deklaruar Muharremaj në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova.

Kryetari i Suharekës theksoi se problemet me energjinë elektrike nuk janë të izoluara vetëm në Sllapuzhan, por po prekin edhe fshatra të tjera të komunës. Ai shtoi se situata ka qenë aq e rëndë, sa për herë të parë ka vendosur të mos i hapë telefonatat për shkak të numrit të madh të thirrjeve nga qytetarët e shqetësuar.

“Unë apeloj tek të gjithë qytetarët, le ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë problem nuk është kryetari i komunës, se nuk mundet me ndiku te furnizimi me energji elektrike, pasi që deri më 5 janari kemi me i pasë këto probleme jo veç në Suharekë por edhe në komunat e tjera të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Muharremaj bëri të ditur se komuna është në komunikim të vazhdueshëm me KEDS-in, por pavarësisht përpjekjeve, problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

“Ne mundohemi me mish e shpirt që të bisedojmë me anëtarët e KEDS-it, por prapë e kemi problemin e pazgjidhur”, theksoi ai.

Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje urgjente, duke shpresuar që institucionet përgjegjëse të marrin masa për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në ditët në vijim.