Siguria në komunikacion gjatë vitit 2020 në Suharekë, flet komandanti Afrim Sylaj

Ngarkesa e komunikacionit, pakujdesia gjatë ngasjes së automjeteve, mospërshtatja e shpejtësisë dhe mosrespektimi i rregullave janë disa nga arsyet e aksidenteve të shumta në trafik.

Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj në një prononcim për SuharekaOnline duke folur për situatën e sigurisë në trafik për vitin që lam pas ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020 në Komunën e Suharekës kanë ndodhur 318 aksidente trafiku, prej të cilave 143 kanë përfunduar me persona të lënduar e të cilat konsiderohen lëndime të lehta trupore, ndërsa 175 aksidente të tjera kanë përfunduar me dëme materiale.

Gjithashtu, gjatë vitit 2020 Policia e Suharekës ka zhvilluar aktivitetet e saj në mënyrë që të parandalojë aksidentet e mundshme në trafik si pasojë e mosrespektimit të rregullave.

Sylaj gjithashtu ka treguar se Policia e Suharekës në vitin paraprak ka shqiptuar 8636 tiketa trafiku për të gjithë ata që nuk i kanë respektuar rregullat e komunikacionit.

Një dukuri e cila e ka karakterizuar Komunën e Suharekës në vitin 2020 është fakti që nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet pas 21 vitesh, e kjo falë punës së Policisë së Kosovës në Suharekë dhe vetdijësimit të qytetarëve.

Njëherit Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj falenderon qytetarët e Suharekës për angazhimin e tyre në ruajtjen e sigurisë në përgjithësi dhe apelon që gjatë gjithë kohës t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të bashkëpunojnë me policinë.

RAPORTO