Shaqir Palushi: Qeveria duhet ta mbështesë sektorin prodhues

Shumë biznese, konkretisht industria e prodhimit në Kosovë, ka zvogëluar kapacitet e saja pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

Sipas përfaqësueseve të biznesit dhe afaristëve prodhues, kjo po ndodh për shkak se ka rënë fuqia konsumuese. Lidhur me këtë, për të rikuperuar dëmet në biznes, ata po kërkojnë përkrahje financiare nga qeveria.

Pronari i kompanisë “Frutex”, që merret me prodhimin e pijeve joalkoolike, Shaqir Palushi thotë kjo situatë emergjente e ka vështirësuar operimin e kompanisë.

“Për ne shumë më e rëndësishme është ruajtja e shëndetit të punësuarve dhe familjeve te tyre se sa afarizmi i kompanisë, prandaj për të ruajtur shëndetin e tyre ne për dy javë nuk kemi punuar fare, kurse pas dy jave kemi filluar të punojmë me staf të përgjysmuar dhe kapacitet rrethe 50 për qind. E gjithë kjo e ka vështirësuar operimin e kompanisë , duke u zvogëluar edhe prodhimi dhe shitja si në tregun vendor po ashtu edhe eksporti. Kështu gjatë muajit mars kemi pasur të hyra me të vogla për 50 për qind sesa se parashikimet tona, dhe natyrisht që kjo situatë do të ketë efekte negative duke bërë të pamundur investimet e parashikuara, e nëse zgjatë për shumë muaj edhe të rrezikoj likuiditetin e kompanisë”, tha për Telegrafin, Palushi.

Ai tha se qeveria duhet ta mbështesë sektorin prodhues, ku sipas tij, nëse kjo situatë vazhdon atëherë ky sektor do të ketë vështirësi.

“Ne i mirëpresim masat e ndërmarra nga ana e qeverisë, por për muajin mars dhe muajin prill ne do t’i paguaj të gjitha pagat pa kërkuar mbështetje nga ana e qeverisë, dhe besoj që ka shumë sektor në Kosovë të cilët janë goditur më shumë se sektori prodhues dhe në radhë të parë duhet mbështetur ata sektorë. Por nëse kjo situatë zgjatë për shumë muaj, atëherë sigurisht që edhe sektorët prodhues do ta kenë të pamundur të mbijetojnë pa mbështetjen e qeverisë”, tha ai.

RAPORTO