Suhareka mbyll sezonin e gjuetisë 2024-2025 bazuar në vendimin e MBPZHR-së

para 40 dite

Shoqata e gjahtarëve “Theranda” që menaxhon vendgjuetinë e përbashkët në Komunën e Suharekës ka njoftuar se sezoni i gjuetisë për vitin 2024-2025 është mbyllur.

Suhareka mbyll sezonin e gjuetisë 2024-2025 bazuar në vendimin e MBPZHR-së

Vendimi është marrë nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Faton Peci, dhe është bërë publik nga menaxheri i vendgjuetisë, Skender Sadikaj.

Sipas vendimit të Ministrit Peci, sezoni i gjuetisë mbyllet nga data 3 shkurt 2025 për të gjitha llojet e kafshëve të egra në të gjithë territorin e Kosovës. Vendimi është bazuar në kërkesën e Departamentit të Pylltarisë dhe arsyetohet me faktin se shumica e menaxherëve të vendgjuetive kanë realizuar objektivat e planifikuara, si dhe me përfundimin e afatit të gjuetisë sezonale për shumicën e kafshëve.

Arsye të tjera të përmendura në vendim janë zvogëlimi i fondit të kafshëve të egra si pasojë e gjuetisë ilegale, raporti i pafavorshëm gjinor dhe i moshës së kafshëve për gjueti, degradimi i habitateve natyrore, kushtet e pafavorshme klimatike dhe menaxhimi joefikas i faunës së egër.

Mbyllja e sezonit të gjuetisë pritet të kontribuojë në ruajtjen e faunës së egër, të zvogëlojë gjuetinë ilegale dhe të nxisë autoritetet komunale në themelimin dhe dhënien në menaxhim të vendgjuetive të përbashkëta. Gjithashtu, mbyllja e sezonit synon të nxisë procesin e hartimit të planeve menaxhuese për vendgjuetitë.

MBPZHR ka obliguar Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë Pyjore të Kosovës, Federatën e Gjahtarëve të Kosovës, Menaxherët e Vendgjuetive dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim tregon angazhimin e institucioneve për ruajtjen e biodiversitetit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të faunës së egër në Kosovë.

Etiketat

Ofertat e fundit