50 anëtarë Së shpejti përfundon memoriali i familjes Berisha

Emrat e rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha të vrarë nga forcat paramilitare serbe tashmë janë gravuar në murin që gjendet afër varreve ku edhe pushojnë anëtarët e familjes Berisha.

Memoriali që gjendet disa qindra metra nga lokali ku u vranë anëtarët e kësaj familje është në përfundim e sipër, memorial ky që do t’u kujtoj brezave që vijnë, sakrificën e familjes Berisha që dhanë për vendin.

20 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe do të ndodhte masakra. Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamionin kishte edhe të tjerë që ishin gjallë, por të plagosur.

Para pak vjetësh disa prej anëtarëve janë gjetur dhe janë varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.