Sa po respektohet në Suharekë mbyllja e parqeve dhe bllokimi i hyrje-daljeve me Malishevën

Deri më tani sipas të dhënave zyrtare të IKSHPK-së në Komunën e Malishevës numri i të infektuarëve me covid-19 ka shkuar në 61 persona.

Pra, Komuna e Malishevës është qyteti me numrin më të madh të të infektuarëve duke u bërë epiqendra e covid-19 në Kosovë.

Në mbledhjen e së martës Shtabi Emergjent i Komunës së Suharekës ndër masat e reja ka kërkuar edhe nga Policia e Suharekës që të bllokohen hyrje-daljet Suharekë-Malishevë.

I kontaktuar nga redaksia zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj, ka thënë se në përgjithësi masat janë duke u zbatuar dhe gjendja në rajonin e Prizrenit dhe konkretisht në Suharekë është e qetë dhe stabile ku pas mbylljes së të gjitha fushave sportive, shesheve, parqeve dhe vendeve ku mund të mblidhen qytetarët është vërejtur një disiplinë nga ana e qytetarëve, shkruan SuharekOnline.

Ai ka rikujtuar se Policia në Suharekë ka vendosur një pikë kontrolli statike në fshatin Semetisht dhe se vërehet se lëvizjet e qytetarëve janë reduktuar nga të dyja anët, që nënkupton se janë bllokuar hyrje-daljet.

“Një rast i mosrespektimit të kufizimit të lëvizjes ka ndodh ditën e martë ku një qytetar i Malishevës ka ardhur në Suharekë pasi që ka biznesin në rr.Bridaga 123, por me urdhër të prokurorit ai është kthyer në Malishevë, pasi që hyrjet-daljet nga vendi që është në karantinë nuk lejohen pavarësisht nëse ke Vërtetim për lëvizje të lirë, duke përjashtuar këtu rastet e furnizimit me mallra esenciale, nevojat mjeksore etj sipas masave të qeverisë ” ka thënë ai.

Gjithashtu vërehet se tek qytetarët është një vet-disiplinë duke respektuar distancën sociale dhe kohën e kufizimit të lëvizjes me ç’rast po e lehtësojnë punën për mantelbardhët dhe Policinë e Kosovës, ka shtuar Osmanollaj për SuharekaOnline.

Osmanollaj gjithashtu ka apeluar tek qytetarët për respektimin e masave të vendosura nga qeveria si dhe rekomandimeve të institutit.

RAPORTO