Sa janë të pajisura shkollat e Suharekës me dalje dhe shkallë emergjente?!

15.12.2020

Shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar e fatkeqësive natyrore ose edhe nga zjarri. Por si qëndrojnë në këtë drejtim institucionet e arsimit në Komunën e Suharekës. Nga 44 institucione që gjenden në Komunën e Suharekës, […]

Sa janë të pajisura shkollat e Suharekës me dalje dhe shkallë emergjente?! Foto: Ilustrim

Shumë objekte shkollore në Kosovë nuk kanë dalje dhe shkallë emergjente, gjë që e rrezikon shëndetin dhe jetën e mijëra nxënësve nga ndonjë situatë e paparashikuar e fatkeqësive natyrore ose edhe nga zjarri.

Por si qëndrojnë në këtë drejtim institucionet e arsimit në Komunën e Suharekës. Nga 44 institucione që gjenden në Komunën e Suharekës, përfshirë këtu çerdhet, shkollat fillore dhe ato të mesme, vetëm 26 prej tyre janë të pajisura me dalje emergjente, shkruan SuharekaOnline.

Kështu thuhet në përgjigjen e drejtorit të DKA-së në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani, i cili gjithashtu tregon se nga 18 shkollat tjera që nuk kanë dalje emergjente, disa prej tyre janë njëkatëshe dhe evakuimi është më i përshtatshëm në rast të ndonjë situate emergjente.

Në rast të ndonjë fatkeqësie evakuimi do të ishte problem për shkollën në fshatin Greikoc e cila është edhe e vjetër edhe nuk ka shkallë dhe dalje emergjente, e që është tre katëshe. Edhe shkolla fillore “7 Marsi” në Suharekë nuk posedon shkallë dhe dalje emergjente.

Përveç shkollës në Greikoc dhe “7 Marsi” në Suharekë shqetësuese është edhe fakti që disa shkolla të reja të ndërtuara pas vitit 2000 nuk kanë dalje emergjente si në: Sopijë, Reshtan, Studençan etj.

Bajselmani tregon se janë duke punuar për të krijuar mundësitë që të gjitha shkollat të kenë dalje dhe shkallë emergjente.

Gjithashtu në shkollat e Komunës së Suharekës është e nevojshme edhe krijimi i pjerrinave për personat me aftësi të kufizuara, ku në këtë aspekt nga 44 institucionet e arsimit vetëm 38 prej tyre ofrojnë mudësi për hyrjen e personave të kësaj kategorie.

Edhe në këtë aspekt gjimnazi “Jeta e Re” është në një situatë ku mundësia për krijimin e pjerrinës është e pamundshme. Por për këtë në këtë shkollë dhe tri institucione të tjera së shpejti do të vendosen ashensorët, ka bërë të ditur Bajselmani.