Sa biznese u hapën dhe sa u shuan gjatë pandemisë në Suharekë?!

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) 2020.

Në TM2 2020, gjithsej janë regjistruar 2 033 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2020) ka një rënie prej (-12.03%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar TM2 2020 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2019) ka rënie prej (-23.4%) të ndërmarrjeve të regjistruara.

Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 488 ndërmarrje të regjistruara (24%); ndërtimtaria  me 328 ndërmarrje të regjistruara (16.1%); prodhimi me 309 ndërmarrje të regjistruara (15.2%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 191 ndërmarrje të regjistruara (9.4%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 189 ndërmarrje të regjistruara (9.3%), etj.

Kështu sipas raportit të ASK-së gjatë TM2 2020 (Prill, Maj, Qershor) në Komunën e Suharekës janë regjistruar 52 biznese të reja, prej tyre: 12 prodhuese, 12 Tregëti me shumicë dhe pakicë, 9 Gastronomi, 7 Ndërtimtari, 4 Transport, 2 Aktivitete profesionale shkencore, 2 Aktivitete administrative, 1 Hidrosanitari, 1 Arsim, 1 Aktivitete shëndetësore dhe 1 shërbime të tjera, shkruan SuharekaOnline.

Ndërsa në po të njejtën periudhë janë shuar 3 biznese, 1 Prodhim, 1 Ndërtimtari dhe 1 Aktivitete shëndetësore.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.