Rruga “Luigj Nikolla” nuk gjendet më shumë se 250 metra nga qendra e qytetit, rrugë kjo të cilën e frekuentojnë çdo ditë banorët e mbi 20 shtëpive, të cilët vazhdimisht kanë bërë apele dhe kërkesa te Komuna për rregullimin e kësaj rruge.
Më parë në mandatin e tij i kishte vizituar edhe ish-kryetari, Sali Asllanaj por nuk kishte ndërmarrë ndonjë hap konkret për zgjidhjen e problemit, thojnë qytetarët e kësaj “lagjeje”.
Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe kryetari aktual, Bali Muharremaj por ende pa asnjë rezultat pasi që sipas qytetarëve ka kontest në atë rrugë madje të njëjtën gjë për SuharekaOnline e kishte konfirmuar në janar të 2019 edhe Bali Muharremaj.
E këtë vit Komuna e Suharekës ka hapur procedurat tenderuese për rregullimin e kësaj rruge dhe 4 rrugëve tjera (Ndërtimi i rrugeve lokale Luigj Nikolla, segment i rrugës Ismail Qemajli, Kurbini, Qamil Kuqi 7 Shtatori, Mehdi Xhaferi).

105,000.00 € janë paraparë në ndërtimin e 5 rrugëve të reja në qytet, në mesin e të cilave është edhe ajo “Luigj Nikolla” segment i rrugës “Ismail Qemajli”.
Sipas procedurave tenderuese afati për dorëzimin e ofertave/kërkesës për pjesëmarrje është deri më 20 maj 2020.

