Rritet numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Suharekë, 60 raste brenda një jave

18.01.2021

Rastet e të infektuarve me COVID-19 në Kosovë ditëve të fundit kanë shënuar ngritje, duke e krahasuar me ditët e para të këtij viti. Edhe në Komunën e Suharekës rastet pozitive me COVID-19 në ditët e fundit janë shtuar e që si pasojë Suhareka e cila për disa javë bënte pjesë në zonën e gjelbër, […]

Rritet numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Suharekë, 60 raste brenda një jave Foto: Ilustrim

Rastet e të infektuarve me COVID-19 në Kosovë ditëve të fundit kanë shënuar ngritje, duke e krahasuar me ditët e para të këtij viti.

Edhe në Komunën e Suharekës rastet pozitive me COVID-19 në ditët e fundit janë shtuar e që si pasojë Suhareka e cila për disa javë bënte pjesë në zonën e gjelbër, u kthye përsëri në zonën e verdhë, shkruan SuharekaOnline.

Sa raste pozitive me COVID-19 u identifikuan brenda një jave në Komunën e Suharekës?

Në bazë të raportimeve ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë bëhet e ditur se që nga data 11 deri më 17 janar në Komunën Suharekës janë identifikuar 60 raste të reja me COVID-19 dhe janë regjistruar 4 raste të vdekjës.

Më 15 janar në Komunën e Suharekës u identifikuan 15 raste pozitive me COVID-19, numër ky rekord brenda një jave, ndërsa më 17 janar u identifikuan vetëm dy raste pozitive numër ky më i vogël krahasuar me ditët tjera të javës.

Gjithashtu, më datë 14 janar në Suharekë u regjistruan 2 viktima nga COVID-19, numër ky rekord i vdekjeve brenda një jave.

Të premtën (15 janar), ministri në detyrë, Armend Zemaj ka njoftuar për lehtësimin e masave anti-COVID dhe kategorizimin e ri të komunave në bazë të rrezikshmërisë së përhapjës së infeksionit me COVID-19, ku edhe është bërë e ditur se Komuna e Suharekës është kthyer nga zona e gjelbër në atë të verdhë.

Më poshtë statistikat mund t’i shihni përmes një tabele.

DataRastet pozitiveViktima
11 janar, 202140
12 janar, 2021141 (75 vjeç)
13 janar, 202190
14 janar, 202162 (89,64 vjeç)
15 janar, 2021150
16 janar, 2021101 (71 vjeç)
17 janar, 202120
Gjithsej604
Të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Nga cilat vende janë rastet pozitive me COVID-19 që u identifikuan brenda kësaj jave?

Në bazë të raportimeve ditore të IKSHPK-së gjatë kësaj jave vendet ku rastet pozitive me COVID-19 ishin më të theksuara janë: Bukosh, Mushtisht, Gjinoc, Samadrexhë, Sopijë, Studençan, Peqan etj.

Cilat janë masat kufizuese për Komunën e Suharekës?

Komuna Suharekës e cila tashmë është pjesë e zonës së verdhë, zonë kjo e cila konsiderohet me rrezikshmëri të mesme të përhapjës së infeksionit me COVID-19 ka këto masa kufizuese:

-Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00;

-Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00;

– Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”;

-Të gjitha institucionet publike dhe private këshillohet të reduktojnë stafin bazuar në specifikat e tyre dhe “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

-Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

-Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

– Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

-Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

-Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

-Pavarësisht pikave 36.7, 36.8 dhe 36.9 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.