“Vota PO, kandidatë JO”, asnjë person me aftësi të kufizuara kandidat për asamble komunale në Suharekë

Personat me Aftësi të Kufizuar në Kosovë në përgjithësi dhe në Suharekë në veçanti përballen me diskriminimin shumëdimensional në baza ditore.

25.09.2021 / Suhareka

“Vota PO, kandidatë JO”, asnjë person me aftësi të kufizuara kandidat për asamble komunale në Suharekë
Foto: Ilustrim

Sfidat në çasjen në objekte e transport publik, shëndetësi, arsim, punësim, etj. për këtë pjesë të shoqërisë paraqesin pengesë në drejtim të gëzimit të drejtave të garantuara kushtetuese e ligjore, gjë që bën që të mos gëzojnë as mundësi të barabarta si pjesëtarët tjerë të shoqërisë.

Në Komunën e Suharekës personat me aftësi të kufizuar kanë probleme në vet institucionet shtetërore, ku në shumicën prej tyre e kanë të pamundur çasjen në objektet e tyre e deri tek punësimi.


Objekti i komunës nuk mundëson që kjo kategori të ketë çasje në katin e dytë ku gjendet zyra e kryetarit dhe drejtoritë. As gjimnazi “Jeta e Re” nuk ka infrastrukturë për personat me aftësi të kufizuar që do të ju mundësonte hyrjen në objekt.

Se ka diskriminim për këtë kategori e tregon edhe fakti që në listën prej 170 kandidatëve për asamble komunale në Suharekë për zgjedhjet e 17 tetorit nuk është përfshirë asnjë kandidat që i përket kësaj kategorie.

Ndonëse në nivel vendi janë certifikuar vetëm 11 persona me aftësi të kufizuara që ia kanë mësyrë garës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, nga 600 persona me aftësi të kufizuara sa numëron Komuna e Suharekës, emri i asnjërit prej tyre nuk gjendet në listën e kandidatëve për asamble komunale.

KOMENTE0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *