Ekspozita, që tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve nga komuna e Suharekës dhe përtej, u nderua edhe me praninë e kryetarit të Komunës, Bali Muharremaj, i cili vlerësoi lart përkushtimin dhe talentin e artistes.

Në një ambient të mbushur me ndjesi dhe reflektime, vizitorët patën mundësinë të përjetojnë një botë tjetër përmes veprave të Era Baralisë, e cila ka ndërtuar këtë cikël artistik mbi përvojat personale të ëndrrave, ankthit dhe kujtimeve të turbullta nga fëmijëria.

“‘Ritëm Ëndrrash’ trajton përvojën e ëndrrës si një univers i fshehtë dhe emocionalisht i ngarkuar, i cili mbetet ende një mister për mendjen njerëzore. Ky projekt artistik kërkon të eksplorojë thellësinë e pavetëdijes përmes simbolikës dhe përjetimit personal…” u shpreh Baralija për SuharekaOnline.

Ajo theksoi se përmes elementeve vizuale si deformimi figurativ, ngjyrat e zymta dhe shndërrimi i peizazheve në hapësira të pasigurta, ka synuar të përkthejë ritmin emocional të pavetëdijes në një gjuhë pamore, duke përdorur artin si mjet për të zbuluar përmbajtjen e fshehtë të ëndrrave.

Ekspozita “Ritëm Ëndrrash” vjen si një dëshmi e fuqisë së artit për të komunikuar përtej fjalës, për të shpalosur atë që fshihet në skutat më të errëta të mendjes dhe ndjenjave njerëzore.

Punimet e Baralisë ngjallën interes të madh dhe reflektim të thellë tek vizitorët, shumë prej të cilëve u ndanë të emocionuar nga përjetimi i një udhëtimi të tillë intim dhe simbolik.

Kjo ekspozitë dëshmon edhe një herë se Suhareka po kultivon artistë të spikatur që sjellin vlera të reja në skenën kulturore lokale dhe kombëtare.

