Rëndohet gjendja në shumë komuna të Kosovës, Muharremaj me ekipe kujdestare në terren

Reshjet e vazhdueshme të shiut që kanë filluar nga dita e enjte kanë shkaktuar përmbytje në disa komuna si pasojë e ngritjes së niveleve të lumenjve përtej kapaciteteve të tyre bartëse.

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës bën të ditur se kësaj situate i ka kontribuar edhe shkrirja e borës nëpër viset më të larta malore.

Reshjet e shiut, të cilat po vazhdojnë pa ndërpre, më shumë se 48h, duke përfshi tërë territorin e vendit, me intensitet më të shprehur në pjesën perëndimore të sajë, ku gjatë kësaj kohe kanë rënë mesatarisht rreth 75.6 mm (lm2), reshje, duke shkaktuar përmbytje, nëpër disa komuna, si pasojë e ngritjes së niveleve të lumenjve përtej kapaciteteve të tyre bartëse.

Gjendja më e rënduar paraqitet në disa Komuna të Dukagjinit si: Gjakovë (95.8 mm), Junik (198.9 mm), Deçan, Rahovec, Malishevë, Suharekë, Pejë (95 mm), Klinë, dhe në Rrafshin e Kosovës, komunat: Drenas, Skenderaj, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq, Prishtinë (58 mm), Mitrovicë.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se së bashku me njësitë e zjarrfikësve dhe ekipet tjera kujdestare vazhdimisht po përpiqen të jenë afër qytetarëve edhe në rastet e fatkeqësive natyrore, shkruan SuharekaOnline.

Ai gjithashtu ka njoftuar se janë kujdestar edhe sonte edhe kurdo që paraqitet nevoja.

“Sot prej orës 10:00 të gjithë drejtorët komunalë janë në teren duke e përcjell gjendjen. Momentalisht kemi vërshime këtu në Verbicë që e lidhë komunën e Mamushës e lidhë edhe fshatin Tërnje, kemi në Samadraxh, Semetisht dhe në fshatin Studenqan. Momentalisht ekipet janë në teren tashmë kanë ardhur edhe zjarrfikësit. Vërshimet e kanë përfshirë një të katërtën e Suharekës, mirëpo në viset malore nuk kemi problem. Gjithashtu ku ka pas problem te Dubiqaku që i themi ne në Suharekë është e qetë, është duke u monitoruar gjendja. Momentalisht këto tri fshatra po mundohemi t’i sanojmë”, ka thënë Muharremaj.

Komuna e Suharekës është prej rajoneve që varet kryesisht prej bujqësisë. E Muharremaj lutet që dëmet të jenë sa më të vogla në bujqësi.

Muharremaj: “Tash është sezon dimri besoj që nuk ka pasur mundësi të dëmtojë shumë kulturat bujqësore, por duhet të shikojmë se sa ka pasur vërshime dhe cila ka qenë sasia e ujit. Ekipet tona pasi të ndalen reshjet e shiut do të dalin në teren dhe të shohin se sa dëme ka pasur. Ka disa shtëpia të kapluara me uji dhe disa rrugë të bllokuara për shkak të ujërave të zeza. Por momentalisht situata është e qetë, por po mundohemi t’u dalim në ndihmë qytetarëve sa të kemi mundësi”, tha Muharremaj.

RAPORTO