Që nga dita e hënë, më 8 qershor, me vendim të Ministrisë së Arsimit, fillon mësimi plotësues për të gjithë nxënësit e klasëve të nënta.
Ky vendim i cili është marrë para një jave nga Ministria e Shëndetësisë me në krye ish-ministrin Arben Vitia, duket se tregoi pajtueshmëri edhe te ministri i tanishëm, Armend Zemaj, 9 cili në konferencën e fundit për media, lidhur me vendimet e reja për masat parandaluese ndaj Covid-19, nuk deklaroi për ndonjë ndryshim sa i përket kësaj çështjeje.
Për këtë hap që do të hedhet që nga nesër, kur edhe do të fillohet mësimi për klasët e nënta, shumë komuna kanë bërë të ditur se janë përgatitur në lidhje me realizimin e këtij mësimi.
I kontaktuar nga SuharekaOnline, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani, ka konfirmuar se të hënën rifillon mësimi për të gjitha klasat e nënta në të gjitha shkollat.
Bajselmani gjithashtu ka bërë të ditur se Komuna e Suharekës ka bërë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt mësimor.
Ndër tjera ai ka treguar se të gjitha shkollat i kanë marr paraprakisht informacionet nga drejtoria si dhe kanë treguar gatishmëri duke u përgatitur edhe për kushtet higjienike.