Rasti i konfirmuar sonte nga Buzhala, rast kontakti me pacientin nga Gelanca

Ndonëse institucionet si qendrore ashtu edhe ato lokale vazhdimisht po bëjnë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse kundër virusit korona, një gjë e tillë siç duket nuk po respektohet nga ana e qytetarëve.

Këtë më së miri e tregojnë shifrat e larta të rasteve pozitive të konfirmuara nga IKSHPK-ja. Vetëm sonte nga 231 mostra të testuara, më shumë se gjysma e tyre kanë rezultuar pozitiv me covid-19, saktësisht 122 raste.

Po çka nëse testohen 1,000 persona, apo 10,000, apo edhe 100,000, cili do të jetë rezultati?!

122 rastet e konfirmuara sonte janë shifra të shpërndara pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës.

Edhe Komuna e Suharekës brenda 72 ore ka shënuar një rritje drastike të rasteve pozitive, ku vetëm gjatë dy ditëve të fundjavës janë shënuar 8 raste pozitive dhe një rast ka përfunduar me vdekje.

LEXO EDHE:  Ambient i pastër, 4559 kontenjerë do të shpërndahen në fshatrat e Suharekës

Ndërsa sot është shënuar një rast nga Buzhala, i cili është rast kontakti me pacientin e datës 25 qershor, duke rritur numrin e rasteve aktive në Komunën e Suharekës në 11, ka thënë drejtoei i QRSHP-së në Prizren, Dr. Fadil Kryeziu.

Që nga data 13 mars e deri më sot në Komunën e Suharekës janë identifikuar 51 raste me covid-19, ku prej tyre 2 kanë përfunduar me vdekje, 38 janë shëruar dhe 11 raste mbesin aktive.

11 rastet aktive janë si vijon: 7 nga fshati Gelancë, 2 nga Suhareka, 1 nga fshati Leshan dhe 1 nga Buzhala.