Ragip Berisha nga Suhareka, përjetues i Masakrës së Tivarit

31.03.2020

Ragip Zeqir Berisha nga Theranda, i lindur më 10. 11. 1927, është përjetues i Masakrës së Tivarit në marsin e vitit 1945. Në fillimpranverën e vitit 1945 Ragip Berisha, atëherë 17 vjeçar, kishte dëgjuar nga të afërmit e vet të moshuar, si edhe nga njerëz të tjerë të vendlindjes së tij, të Therandës, për një […]

Ragip Berisha nga Suhareka, përjetues i Masakrës së Tivarit Foto: Ilustrim

Ragip Zeqir Berisha nga Theranda, i lindur më 10. 11. 1927, është përjetues i Masakrës së Tivarit në marsin e vitit 1945.

Në fillimpranverën e vitit 1945 Ragip Berisha, atëherë 17 vjeçar, kishte dëgjuar nga të afërmit e vet të moshuar, si edhe nga njerëz të tjerë të vendlindjes së tij, të Therandës, për një lajm, që sipas mendimit të tij kishte reflektuar jo i mirë, e bile edhe si shumë i kobshëm.

Kishte dëgjuar asokohe se do të rekrutoheshin sërish shqiptarë të aftë për pushkë, për të luftuar, si kishin thënë atëherë, në veri të vendit (diku në Slloveni) kundër mbeturinave të fundit të nazi-fashizmit gjerman.

-Si i ri i papërvojë që ishte, lajmet e tilla sikur nuk iu kishin dukur edhe se mund të ishin të vërteta. Më shumë i kishin përngjarë si përfolje të këqija, se nuk kishte kaluar as një javë ditë që kur kishte dëgjuar, se Gjermania pushtuese veç kishte kapitulluar dhe se nuk ishte më e nevojshme që të organizoheshin luftime të tjera shtesë kundër saj. Në logjikën e tij prej të riut inteligjent një rimobilizim i tillë i kishte tingëlluar bile edhe si shumë i qëllimshëm dhe si një skenar përgatitor me prapavija shfarosëse për moshën aktive shqiptare, skenar i përgatitur për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare nga shqiptarët.

-Nga ajo që kishte dëgjuar nga më të vjetrit, por edhe nga ajo që shihej e dëgjohej në përditëshmërinë e pasluftës 1945, shqiptarët e Kosovës dhe të tokave të tjera etnike, edhe pse kishin luftuar bashkë me popujt të tjerë të ish Jugosllavisë kundër armikut, siq kishin thënë atëherë të përbashkët (kundër nazifashizmit gjerman e italian), në fillimpranverën e vitit 1945 nuk e kishin fituar lirinë si të tjerët. Në këtë kohë për shqiptarët kishte përfunduar vetëm një robërim, për të mbetur me dredhi e me dhunë në një robërim tjetër dhe atë nën robërinë serbe.

-Në kujtesën e Ragip Berishës ruhet ende e freskët ngjarja e fillimarsit 1945, kur kishin filluar në Therandë (Suharekë), si edhe nëpër fshatra trokitjet derë më derë nëpër shtëpia, ditën e natën, për t’i ftuar sërish në luftë shqiptarët e aftë për pushkë. Ftesat e tilla kishin qenë pothuajase tërësisht vetëm ftesa gojore, të përcjella përmes njerëzve besnik të pushtetit të atëhershëm serb, të quajtur “këshillat e vendit”. Në ato ftesa, urdhëri kishte qenë i prerë, që të gjithë shqiptarët e ftuar të tuboheshin në qendër të Therandës (Suharekës), në vendin e quajtur “Te Xhamia”. Kishte qenë e pamundur që të mos respektohej ftesa e bërë nga se çdo lëvizje e shqiptarëve të ftuar për rekrutim të sërishëm përcillej nga të besueshmit e pushtuesit serb, të quajtur “këshillat e vendit”. Një javë ditë kishte zgjatur ky lloj riti kriminal i tubimit të shqiptarëve të Therandës dhe të fshatrave, në vendin e quajtur “Te Xhamia”, në Therandë.

-Në të vërtetë ajo që e kishte befasuar dhe dërrmuar më së shumti Ragip Berishën e ri, si edhe krejt shqiptarët e Therandës dhe të fshatrave kishte qenë pikërisht mosinformimi i saktë se për çfarë arsye i ftonin sërish për mobilizim, kur veç prej disa ditësh ishte përhapur lajmi se lufta me nazifashizmin gjerman e Italian ishte shpallur e përfunduar.

Mosinformimin e tillë nuk kishin dashur asesi që ta merrnin si ogur ndjellakeqës, por megjithatë dyshimet për ndonjë dredhi të mundshme të serbo-çetnikëve kriminelë serbë nuk kishin pushuar asnjeherë në këto anë të Dukagjinit Lindor. Këto mendime iu kishin qarkulluar në mendje nga se shqiptarët e Therandës e të fshatrave ende i kishin në kujtesë dhe kurrë nuk mund t’i harronin barbaritë tmerruese të viteve të mëhershme që kishin bërë forcat ushtarake serbe dhe përgjithësisht Jugosllavia e Vjetër kundër tyre. Shumë shqiptarë, ata të moshuarit, barbaritë shfarosëse të kohëve të tilla i kishin përjetuar edhe vetë, ndërsa të rinjtë për to kishin dëgjuar nga prindërit e tyre. Dyshimet ishin shtuar edhe nga fakti se ftesat për mobilizim të sërishëm në atë mars 1945 ishin bërë kryesisht vetëm për shqiptarë.

-Megjithatë, përkundër dyshimeve të ngulitura për ndonjë prapavijë të keqe të pushtuesit serb, në Therandë e në fshatra, ftesat e shpërndara për mobilizim të sërishëm të shqiptarëve, që të luftojnë, siq ishte thënë, kundër mbeturinave të nazi-fashizmit gjerman në Frontin e Sremit e të Bregdetit Adriatik, në fillim se si e kishin marrë edhe si mundësi se ndoshta një aksion i tillë mund të jetë edhe i dobishëm për shqiptarët. Bindjet e tilla ishin fuqizuar edhe nga informatat që i kishin dëgjuar kohë më parë për vendimet historike të Konferencës së Bujanit të janarit 1944, se pas fitores mbi armikun nazi-fashist do t’i mundësohej edhe Kosovës dhe shqiptarëve në të vetvendosja deri në shkëputje, si edhe bashkimi me Shqipërinë. Motivim bindës që të shkohej për në frontin e Sremit, për çlirimin e Trieshtës dhe të Istrisë kishin reflektuar edhe fjalimet e zjarrta, që kishin mbajtur para tyre komandantët shqiptarë të luftës së quajtur Nacional Çlirimtare, se duhej gjithësesi dhe pa hamendje që të shkohej për në këtë front, sipas tyre me rëndësi të madhe për çlirimin e vendit.
-Sipas Ragip Berishës, Spasoje Gjakoviqi, që ishte atëherë kryetar OZNA-s, kishte qenë krimineli kryesor serb, që e kishte bërë marrëveshjen për mbledhjen e shqiptarëve, kinse për mobilizim të sërishëm në luftimin e mbeturinave të fundit të nazi-fashizmit gjerman. Në ndihmesë të misionit kriminel të tij kishin qenë edhe kryetari i atëhershëm i Rrethit, Sllobodan Mihiqi (djali i Vuqës nga Suhareka) dhe aktivistët Stana Zeqoviqi e Pop Cvetki.

-Sido që të kenë qenë marrëveshjet e bëra dhe kushdo që t’i kenë bërë ato marreveshje kinse për mobilizim të sërishëm në mposhtje të mbeturinave të fundit të nazizmit gjerman, shqiptarët e Therandës dhe të fshatrave, bashkë me dyshimet e vazhdueshme që i kishin bartur në shpirt për ndonjë prapavijë të keqe serbe, si edhe me bindjet formale në dukje, ishin detyruar gjithësesi që të mblidheshin tek vendi i caktuar, “Te Xhamia”. -Dhe të gjithë të mbledhurit kishin qenë burra të moshës më të mirë, të asaj që në popull quhej edhe rini e pjekur. Kuptohet që nuk i ishin kursyer as edhe ata të moshës më të re. Urdhëri kishte qenë që për çdo shtëpi të ftohet nga një mashkull, ndërsa për familjet në shënjestër të pushtuesit serb të caktoheshin edhe nga dy meshkuj. Ndër më të rinjtë e ftuar në këtë tubim të pasqaruar sa duhet dhe të dyshimtë njëkohësisht, ishte pikërisht personazhi i këtij rrëfimi, Z. Ragip Zeqir Berisha.

TMERRET E PËRJETUARA NË PLOJËN E TIVARIT MBETËN TË PASHLYESHME

Përkundër moshës së shtyrë, si edhe përkundër travajeve të shumta jetësore që i kishte përjetuar nëpër mote përherë të rënda për të, Ragip Zeqir Berisha e ka një memorie shumë të ruajtur në kujtim të tmerreve të Plojës së Tivarit të vitit 1945. I kujtohen gati në imtësi ngjarjet, që i kishte parë e përjetuar ai vetë, por edhe shumë nga ngjarjet, që i kishin përjetuar edhe shokët e tij, me të cilët i kishte rastisur fati që të ishin bashkëudhëtarë të pandarë në atë deportim fatzi nga Theranda (Suhareka) e deri në Tivar dhe mëtutje deri në pacaktim. I mbanë në mend edhe emrat e shumë prej shokëve të tij dhe në bisedë e sipër se si nuk e linte pa e përmendur edhe ndonjë detaj të përjetimeve trishtuese të ndonjërit prej tyre. Donte që tmerrin e masakrës së Tivarit ta tregonte të detajizuar dhe plotësisht real për kohët dhe për gjeneratat që do të vijnë. Donte që ta potenconte edhe rolin e vetë të pakontestueshëm të personazhit ende të gjallë në këtë ngjarje të llojit të pakrahasuar, duke thënë:

– Tmerret që i kam përjetuar në Masakrën e Tivarit në fillimpranverën e vitit 1945 më kanë mbetur përgjithmonë të pashlyeshme në mendjen dhe në shpirtin tim. Deri sa të më punojë kujtesa dhe deri sa të jam gjallë në këtë jetë kurrë nuk mund t’i harroj si të tilla ngjarjet e asaj kohe. Kështu e ka jeta e njeriut, të veçantat e mëdha trishtuese nëpër kohë mbetën përgjithmonë të pashlyeshme në mendje, bëhen pjesë e historisë, pjesë e historisë sonë të dhembshme si shqiptarë dhe si Kosovë.

Kështu ishte edhe fati im në këtë jetë, ashtu si ishte edhe fati i shumë shqiptarëve të tjerë si unë -Janë fjalët e personazhit të këtij rrëfimi – Ragip Berisha.

Fragment nga libri në përfundim për disa të mbijetuar ende të
gjallë të Masakrës së Tivarit – 1945 – Naxhije Doçi.