QKMF “Rexhep Kuçi” në Suharekë pret përfaqësuesit amerikanë të LDS Charities – diskutohen investime të reja për urgjencën
Në ambientet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” në Suharekë, sot u pritën përfaqësuesit amerikanë të organizatës humanitare LDS Charities: David & Kristi Skidmore dhe Eric Rotterman.
Përfaqësuesit e organizatës u mirëpritën nga stafi i QKMF-së dhe u falënderuan për donacionin e dhënë më herët për përmirësimin e shërbimit në sektorin e urgjencës, i cili ka ndikuar pozitivisht në përballimin më efikas të rasteve emergjente dhe përkujdesjen ndaj qytetarëve.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm, me fokus të veçantë në investime shtesë për sektorin e urgjencës, si dhe mbështetjen me pajisje mjekësore dhe trajnime për stafin shëndetësor.
Kjo vizitë përbën një tjetër hap në thellimin e bashkëpunimit mes QKMF-së në Suharekë dhe organizatave ndërkombëtare humanitare, duke forcuar kapacitetet e ofrimit të shërbimeve mjekësore për komunitetin lokal.