QKMF e Suharekës ende nuk është furnizuar me vaksina antiCOVID

QKMF e Suharekës ende nuk është furnizuar me vaksina antiCOVID
Herolind Bytyçi

14.05.2021 / Suhareka

Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeç do duhej të vazhdojë sot në të gjitha komunat, por jo edhe në Komunën e Suharekës si shkak i mos furnizimit të QKMF-së me vaksina.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vaksinimi do të fillojë nga ora 08:00 e do të zgjasë deri në orën 19:30 dhe do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeçare.

Sipas këtij njoftimi për banorët e kryeqytetit, vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori”, derisa nëpër komunat e tjera, vaksinimi do të kryhet nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Por ky proces nuk do të filloj në QKMF-në e Suharekës, pasi që kjo qendër ende nuk është furnizuar me vaksina.

Kështu ka bërë të ditur për SuharekaOnline drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi.

“Nuk kemi marr njoftim nga Minisitria e Shëndetësisë për furnizim me vaksina dhe natyrisht sot nuk mundemi me fillu procesin pasiqë nuk kemi doza të vaksinave” ka thënë Kuqi.

Tutje ajo ka bërë të ditur se si drejtori janë të gatshëm të fillojnë procesin e vaksinimit në momentin që furnizohen me vaksina.

Kujtojmë se fillimisht të hënën arritën 3 mijë doza ta vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian. Kurse të mërkurën në Kosovë arritën 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX.

Kujtojmë se që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar.

RAPORTO