Prezantohet plani i transformimit të Tregut Ditor të Fermerëve në Qendër për Inovacion dhe Ndërmarrësi
Valdrin Halitjaha, nga Mushtishti, i diplomuar në Ekonomi, Ndërmarrësi & Inovacion në Lake College në SHBA, ka prezantuar një projekt interesant për transformimin e Tregut Ditor të Fermerëve në Suharekë.
Propozimi i tij i plotë për transfermin e Tregut Ditor:
Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa një ekosistem të gjallë që mbështet ndërmarrësinë, inovacionin dhe bashkëpunimin mes sektorëve. Suhareka është një qytet me mundësi të jashtëzakonshme: me zonën industriale ndër më të suksesshmet në Kosovë që gjeneron mbi 3,500 vende pune, me një popullsi të re ku mbi 50% janë nën moshën 35 vjeç, si dhe me një pozicion strategjik që na vendos si një nyje e zhvillimit në Kosovë.
Megjithatë, mungesa e një hapësire të dedikuar për inovacion dhe ndërmarrësi po i shtyn të rinjtë tanë të talentuar të kërkojnë mundësi jashtë qytetit. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të disa lokacioneve, propozoj që Tregu Ditor i Bylmetit, tashmë i harruar dhe lënë në mëshirën e kohës në lagjen Fidanishte, të shndërrohet në një qendër moderne për biznes dhe inovacion. Ky transformim do t’i japë jetë një hapësire të braktisur dhe, mbi të gjitha, do t’i japë Suharekës mundësinë për t’u rritur ekonomikisht nga brenda, me forcat e veta.
Pse Tregu Ditor i Fermerëve?
Në vitin 2015, filloi ndërtimi i Tregut Ditor të Fermerëve me një investim prej më shumë se 200,000 eurosh nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, me qëllim mbështetjen e fermerëve lokalë. Por, si shumë projekte publike, edhe ky u dëmtua nga planifikimi i dobët dhe mungesa e një vizioni afatgjatë për funksionimin e tij, duke përfunduar si një hapësirë e braktisur. Fermerët dhe konsumatorët në Kosovë janë mësuar me tregje të përqendruara në një ditë të vetme, si për shembull ai i së martës në Suharekë apo ai i së mërkurës në Prizren etj. Këto tregje tërheqin konsumatorë nga qyteti dhe fshatrat përrreth, duke garantuar shitje të larta brenda një dite për tregtarët. Një treg ditor nuk mundi të krijojë të njëjtin fluks konsumatorësh dhe si rrjedhojë nuk mundi t’i bind tregtarët për përdorimin e ketij tregu. Megjithatë, vendndodhja e tij mbetet një aset i pazëvendësueshëm: mes fushave sportive, parkut të dëshmoreve dhe shtigjeve te ecjes, Qendrës Sportive “13 Qershori” dhe pranë Gjimnazit “Jeta e Re”. Kjo e bën atë vendin ideal për t’u shndërruar në një qendër moderne biznesi dhe inovacioni, një hapësirë që lidhet natyrshëm me energjinë sportive, rinore dhe komunitare të Suharekës.
Vizioni i Qendrës për Inovacion dhe Biznes
Qendra për Inovacion dhe Biznes do të jetë një hapësirë moderne, funksionale dhe innovative, aty ku idetë marrin formë dhe bashkëpunimi mes ndërmarrësve krijon mundësi të reja. Ajo do të ofrojë ambiente bashkëkohore pune me internet të shpejtë, të dedikuara për sipërmarrësit dhe profesionistët e rinj që duan të zhvillojnë startup-e, projekte kreative dhe zgjidhje inovative, apo thjeshtë të punojnë në hapësirat e kësaj qendre.
Në zemër të saj, qendra do të ketë laboratorë digjitalë për programim, dizajn grafik dhe prodhim audio-vizual, duke pajisur të rinjtë me aftësi që kërkohen gjithnjë e më shumë në ekonominë e sotshme digjitale. Zyra këshilluese për biznes, kontabilitet dhe financa do t’i ndihmojnë ata të ndërtojnë plane të qëndrueshme dhe të aplikojnë me sukses për grante apo investime.Përveç kësaj, një kafene vetëshërbyese me ushqime të shëndetshme me tavolina pune për të gjithë ata që punojnë nga largësia. “Muri i të Famshmëve” për të nderuar arritjet lokale të Suharekasve, si dhe hapësirat për pushim dhe rrjetëzim, do ta bëjnë qendrën një pikë takimi për gjithë komunitetin, jo vetëm për punë, por edhe për edukim.
Impakti Ekonomik dhe Social
Qendra për Inovacion dhe Biznes në Suharekë do të ketë një ndikim të dyfishtë, atë ekonomik dhe social. Në aspektin ekonomik, ajo do t’u japë ndërmarrësve mundësinë të nisin biznese të reja pa barrën e një kapitali të madh fillestar, falë hapësirave me qira të ulët dhe shërbimeve këshilluese në vend. Do të gjenerojë vende të reja pune, nga stafi drejtues dhe teknik, te trajnerët dhe ofruesit e shërbimeve lokale, ndërsa aktivitetet si trajnimet, ekspozitat dhe ngjarjet e rrjetëzimit do të sjellin vizitorë dhe do të ndihmojnë bizneset dhe të rinjët e qytetit.
Në aspektin social, qendra do t’u japë të rinjve një arsye të fortë për të qëndruar në Suharekë: një vend ku mund të mësojnë, punojnë, të krijojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në lidhje të drejtpërdrejtë me mundësitë që ofron Zona Industriale. Për më tepër, ajo do të jetë një hapësirë e qëndrueshme dhe ekologjike: me panele diellore për energji, sistem riciklimi dhe stacione biçikletash.
Në fund, unë besoj se Suhareka mund të bëhet një shembull i shkëlqyer i inovacionit në Kosovë. Qyteti ynë meriton një vend ku të rinjtë mund të mësojnë, të krijojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth këtij projekti, kam përgatitur një plan të detajuar fizibiliteti me të gjitha hapat e zhvillimit. Më shkruani lirshëm në valhalitjaha@gmail.com për ta marrë dokumentin.