Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin për media. Ai ka bërë të ditur se i plagosuri është një mashkull 44-vjeçar, i cili fillimisht është dërguar për ndihmë të parë në QKMF Suharekë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Pas një intervenimi kirurgjik, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai është liruar, pasi lëndimet janë cilësuar si të lehta.

“Sipas informatave fillestare, pas një mosmarrëveshjeje paraprake mes dy personave, njëri prej tyre dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur në këmbë personin, mashkull, 44 vjeçar”, ka thënë Bytyqi.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, Policia ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit A.F., 21 vjeçar, por i njëjti nuk është gjetur aty. Ende nuk dihet se çfarë arme është përdorur në këtë rast.

Policia njofton se Sektori i Hetimeve Rajonale është duke vazhduar punën për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.