Me rastin e shënimit të “EPOPEJA E LAVDISHME E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS”, nesër më 06 mars në ora 10:00 do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve në Suharekë.
Kujtojmë që nga sot, në Kosovë kanë filluar ceremoni të shumta për të shënuar 5,6 dhe 7 marsin, që ndryshe njihen edhe si Epopeja e UÇK-së.
Më datën 5 mars të vitit 1998, forca terroriste serbe me mjete të blinduara, patin sulmuar shtëpitë e Jasharajve në Prekaz.Luftime të ashpra patin vazhduar edhe të nesërmen, më 6 mars, ku humbën jetë anëtarë të familjes Jashari.
Por, pavarësisht humbjeve, rezistenca e tyre nuk po shembej asnjëherë, ajo vetëm sa po shtohej dhe luftimet vetëm sa po bëheshin më të ashpra.
Në ditën e tretë të sulmit të ushtrisë terroriste serbe mbi familjen Jashari, më 7 mars 1998, bie heroikisht edhe komandanti legjendar Adem Jashari dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.
Prandaj, pa asnjë dyshim, ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit shënojnë kthesën e madhe historike për mbylljen e një kapitulli të vjetër për Kosovën dhe fillimin e një epoke të re, qartësimin e pozicionit të shqiptarëve karshi Serbisë dhe i jep fund regjimit serb në Kosovë.