Për herë të tretë, Komuna e Suharekës hap konkurs për gjinekolog/e

Në fillim të vitit të kaluar Komuna e Suharekës, përkatësisht Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kishte hapur dy konkurse të njëpasnjëshme për gjinekolog, por të dy kishin dështuar në mungesë të aplikantëve.

Asokohe drejtori i QKMF’së në Suharekë, Dr.Salih Bytyçi kishte treguar se për momentin në gjinekologji ishin të punësuar dy gjinekologë, ku njëri pas një muaje do të dilte në pension ndërsa gjinekologia tjetër ishte në pushim të lindjes, shkruan SuharekaOnline.

Kërkesa edhe për një gjinekolog ishte për faktin se komplet orarin nuk mund ta mbulojë një mjeke apo gjinekolog i përkushtuar, pasiqë orari është i gjatë, i cili fillon nga ora 08:00 deri në ora 22:00.

Faktor tjetër është se veçmas rasteve të lindjeve ka kërkesa edhe për vizita gjinekologjike dhe nevoja për vizita të përditshme është e madhe.

Një ndër arsyet që nuk kishte aplikantë në dy konkurset e vitit 2020 ishte edhe largimi i mjekëve drejt perëndimit, fenomen ky i cili tashmë i ka dhënë pasojat e para në tregun kosovar. Si pasojë e kësaj Qendra e Mjekësisë Familjare në Komunën e Suharekës rrezikon të mbetët pa gjinekolog.

Redaksia e SuharekaOnline ka tentuar të marr prononcim nga Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi dhe u.d. e drejtorit të QKMF-së, Sale Bytyqi, por asnjëra nuk janë përgjigjur.

RAPORTO