Për gjashtë muaj në Policinë e Suharekës raportohen 28 raste të dhunës në familje

24.06.2023

Vitin që lamë pas, dhuna në familje e sidomos dhuna ndaj grave, ishte në qendër të vëmendjes për shkak të rasteve të shumta, ku disa prej tyre përfunduan me fatalitet. Rastet e dhunës në familje përveç se janë shqetësuese për shoqërinë ato janë edhe sfidë për institucionet e vendit, raste të tilla përgjatë gjashtë muajve […]

Për gjashtë muaj në Policinë e Suharekës raportohen 28 raste të dhunës në familje Foto: Ilustrim

Vitin që lamë pas, dhuna në familje e sidomos dhuna ndaj grave, ishte në qendër të vëmendjes për shkak të rasteve të shumta, ku disa prej tyre përfunduan me fatalitet.

Rastet e dhunës në familje përveç se janë shqetësuese për shoqërinë ato janë edhe sfidë për institucionet e vendit, raste të tilla përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2023 fatkeqësisht janë raportuar edhe në Stacionin Policor në Suharekë.

Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj në një prononcim për SuharekaOnline ka treguar se edhe në Stacionin Policor në Suharekë gjatë periudhës janar-qershor kanë trajtuar raste dhe kanë arrestuar persona të dyshuar për dhunë në familje.

Sylaj ka treguar se brenda 6 muajve në stacionin që ai drejton janë raportuar 28 raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktimat kanë qenë femra.

Rasti i fundit i raportuar nga Policia e Kosovës në Suharekë, për dhunë në familje ka qenë me 4 qershor të vitit 2023, ku nga policia u bë e ditur se një person i dyshuar ka sulmuar fizikisht një familjare. Si pasojë e sulmit, viktima kishte pësuar lëndime trupore, përçka ka pranuar edhe tretman mjekësor.

Suharekë 04.06.2023-23:30. Viktima femër kosovare ka njoftuar së është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar dhe e dyshuara femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.” thuhej në njoftimin e policisë.

Një ditë pas ngjarjes, Poicia e Kosovës në Suharekë, me vendim të prokurorit ka arrestuar personin e dyshuar për shkak të dhunës ndaj familjarës së tij.

Nga statistikat që ka SuharekaOnline, rikujtojmë se gjatë vitit 2022 në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar gjithsej 60 raste të dhunës në familje.