Për 6 muaj në Suharekë, vetëm dy raste të përdorimit/posedimit të lëndëve narkotike

26.06.2023

Policia e Kosovës është njëri ndër institucionet që qytetarët i drejtohen për të kërkuar ndihmë dhe për të raportuar probleme nga më të ndryshmet. Nga shumë vepra penale që heton policia, ku në të shumtën e rasteve janë sfiduese për këtë institucion, njëra nga to është edhe hetimi i rasteve për përdorim, posedim, shit-blerje të […]

Për 6 muaj në Suharekë, vetëm dy raste të përdorimit/posedimit të lëndëve narkotike Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës është njëri ndër institucionet që qytetarët i drejtohen për të kërkuar ndihmë dhe për të raportuar probleme nga më të ndryshmet.

Nga shumë vepra penale që heton policia, ku në të shumtën e rasteve janë sfiduese për këtë institucion, njëra nga to është edhe hetimi i rasteve për përdorim, posedim, shit-blerje të lëndëve narkotike nga persona të moshave të ndryshme, kryesisht atyre më të rejave.

Rastet e përdorimit të lëndëve narkotike nga të rinjët kosovar mbeten shqetësuese për shoqërinë e poashtu në veçanti edhe sfiduese për institucionet e vendit.

Përgjatë viteve raste të tilla kemi dëgjuar edhe në Komunën e Suharekës, madje në muajin nëntor të vitit 2022, Policia e Kosovës, respektivisht njësitë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në vazhdën e kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore, si rezultat i angazhimeve në identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në veprat penale me narkotikë, kishte identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për kryerje të dy veprave penale.

Policia asaj kohe njoftoi se me datën 03.11.2022 rreth orës 18:00 DHTN-Prizren pas hetimeve intensive dhe punës operative në terren, në fshatin Grejkoc – Suharekë nga zyrtarët policorë është identifikuar një veturë e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar me iniciale L. R. (emër i njohur për redaksinë), i cili përkundër rezistencës së shfaqur kundrejt zyrtarëve policorë është arritur që të arrestohet, me ç’rast gjatë kontrollit të tij, tek i njëjti është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit kokainë (2.076 gramë) dhe heroinë (1403.96 gramë).

Poashtu, kjo sfidë për policinë e vendit po vazhdon edhe këtë vit. Në stacionin Policor në Suharekë brenda 6 muajve (janar-qershor) janë raportuar dy raste të përdorimit, posedimit apo shitjes/blerjes së lëndëve narkotike, kështu ka bërë të ditur, Komandanti i Policisë-Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj.

SuharekaOnline iu rikujton njërin nga rastet ku dy të dyshuar për posedim të lëndëve narkotike ishin shoqëruar në Stacionin Policor në Suharekë.

Rasti në fjalë sipas Policisë së Suharekës kishte ndodhur me datë 20.03.2023, ku tek dy të rinjët gjatë një kontrolli policia kishte gjetur dhe konfiskuar substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej rreth 5.89 gram.

Por, pavarësisht kësaj, pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin kujdestar, dy të dyshuarit për këtë vpër penale ishin liruar dhe rasti kishte shkuar në procedur të rregullt.

Suharekë 20.03.2023-00:20. Janë shoqëruar në stacion policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që tek të njëjtit (gjatë kontrollit) është gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 5.89 gramë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.” kishte njoftuar policia para tre muajsh.

Pavarësisht numrit të rasteve, Sylaj poashtu ka thënë se Policia e Suharekës vazhdon të mbetet e përkushtuar për parandalimin e veprave të tilla, të cilat janë të dëmshme dhe shqetësuese për të gjithë.