Për 4 muaj në Suharekë regjistrohen 39 aksidente trafiku, asnjë me fatalitet

Për 4 muaj në Suharekë regjistrohen 39 aksidente trafiku, asnjë me fatalitet
Eurolinda Zenelaj

24.04.2021 / Suhareka

Ngarkesa e komunikacionit, pakujdesia gjatë ngasjes së automjeteve, mospërshtatja e shpejtësisë dhe mosrespektimi i rregullave janë disa nga arsyet e aksidenteve të shumta në trafik të cilat i shohim dhe i ndëgjojmë çdo ditë.

Në vitet e kaluara Komuna e Suharekës ishte tronditur shumë herë nga humbja e jetëve të shumë qytetarëve në aksidente trafiku.

Në vitin 2019 Policia në Rajonin e Prizrenit kishte thënë se njëra ndër rrugët në të cilën kanë ndodhur shumë aksidente e që njihet si ”pikë e zezë” është rruga Suharekë-Duhël, e njohur si “Biraq”.

Kjo rrugë sipas policisë është e rrezikshme për shkak të pozitës gjeografike pasi që ka shumë kthesa, dhe gjatë sezonës dimërore është e rrëshqitshme.

Rasti i fundit më tragjik ishte aksidenti ku bashkëshorti 32 vjeçar bashkë me nënën e tij, gruan dhe dy fëmijët vdiqën pas përplasjes me një autobus. Familja kishte ardhur për pushime nga Zvicra, shkruan SuharekaOnline.

E për të parë se sa e rrezikshme dhe sa aksidente trafiku kanë përfunduar me fatalitet, mjafton të kalosh nëpër këtë rrugë në të cilën  pothuajse në çdo dyqind metra sheh buqeta lulesh në vendet ku qytetarët kanë humbur të dashurit e tyre.

Për dallim nga vitet e kaluara dhe fatmirësisht gjatë vitit 2020 në Komunën e Suharekës nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet.

Trend ky i cili për fat të mirë Komunën e Suharekës e ka përcjellur edhe gjatë këtyre katër muajve të parë të vitit 2021.

Mirëpo, pavarësisht kësaj për këtë periudhë kohore, janar-prill, në bazë të të dhënave që ka siguruar SuharekaOnline, në Komunën e Suharekës figuron të jenë regjistruar 36 aksidente trafiku të cilat kanë përfunduar me persona të lënduar dhe dëme materiale.

Në muajin e parë të këtij viti në Komunën e Suharekës kanë ndodhur 13 aksidente trafiku, numë ky i cili në muajin shkurt ka shënuar rënie për një, ku janë regjistruar 12 aksidente.

Ndërsa, në mars të këtij viti në bazë të të dhënave që posedon SuharekaOnline figuron të kenë ndodhur vetëm 4 aksidente trafiku, numër ky i cili është rritur dukshëm gjatë këtyre ditëve të muajit prill, ku deri më tani janë raportuar 10 aksidente.

Poashtu, Policia e Kosovës në Suharekë gjatë këtyre 4 muajve të parë të vitit 2021 për të parandaluar aksidentet e mundshme në trafik, ka shqiptuar plotë 1,404 tiketa trafiku për të gjithë drejtuesit e automjeteve të cilët nuk i kanë respektuar rregullat në komunikacion.

RAPORTO