Peqani në terr që nga ora 12:00: Investimi në rrjetin elektrik, një premtim i dështuar!
Që nga ora 12:00 e ditës së sotme, banorët e fshatit Peqan janë pa furnizim me energji elektrike.
Një situatë që, fatkeqësisht, nuk është e re për këtë fshat, por që sot po merr përmasa edhe më shqetësuese për shkak të acarit të dimrit dhe temperaturave të ulëta.
Kanë kaluar plot tetë vite që kur në Peqan u promovua me pompozitet një investim në rrjetin elektrik. Banorëve iu tha se “epoka e territ” do të përfundonte, se tensioni do të stabilizohej dhe se ndërprerjet do të mbeteshin vetëm kujtim.
Edhe pas investimit të bërë, Peqani vazhdon të jetë i lidhur në një linjë të përbashkët me fshatrat përreth. Kjo e bën fshatin “peng” të çdo defekti që ndodh kilometra larg. Sa herë që ka një prishje në ndonjë nga fshatrat fqinjë, Peqani mbetet automatikisht pa rrymë, pavarësisht se problemi nuk është në territorin e tij.
Banorët pyesin me të drejtë pse një fshat i tërë duhet të mbesë pa energji elektrike vetëm për shkak të një defekti diku tjetër.
Kulmi i këtij problemi po përjetohet sot. Në mes të dimrit, kur energjia elektrike është jetike për ngrohje dhe kushte minimale jetese, Peqani ka mbetur mbi tetë orë në terr. Qindra familje, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, janë lënë pa rrymë dhe në të ftohtë. Kjo situatë nuk shihet më si një prishje e zakonshme teknike, por si neglizhencë dhe papërgjegjshmëri institucionale.
Banorët shprehen se janë lodhur nga arsyetimet dhe premtimet. Faturat e energjisë vijnë rregullisht, por shërbimi vazhdon të jetë i pasigurt. Për ta, investimi i bërë vite më parë është i dështuar për aq kohë sa Peqani nuk është i ndarë nga problemet e fshatrave të tjera dhe nuk ka furnizim të garantuar as në ditët më të ftohta të vitit.
Kërkesa e banorëve është e qartë. Ata u bëjnë thirrje organeve kompetente, KEDS-it, KESCO-s dhe Komunës që të rishikojnë urgjentisht gjendjen e linjës elektrike dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete teknike. Peqani nuk duhet të fiket sa herë që diku tjetër këputet një tel. Deri në realizimin e një zgjidhjeje të tillë, ky investim për banorët e fshatit mbetet vetëm një premtim i zbrazët dhe një “shaka” e kushtueshme.