Pavarësisht kërkesave për adoptim, në Suharekë tash e tri vite nuk ka foshnje të braktisura
Frikën e parë që e njeh dhe e konkretizon sapo vjen në jetë njeriu është braktisja. Një fenomen shqetësues dhe i dhimbshëm që pothuajse gjithmonë e ka goditur shoqërinë tonë është braktisja e foshnjeve, i cili po vazhdon të ndodhë ende. Agjencia e Statistikave të Kosovës në bazë të dhënave zyrtare, muaj pasi muaji ka […]
Frikën e parë që e njeh dhe e konkretizon sapo vjen në jetë njeriu është braktisja. Një fenomen shqetësues dhe i dhimbshëm që pothuajse gjithmonë e ka goditur shoqërinë tonë është braktisja e foshnjeve, i cili po vazhdon të ndodhë ende.
Agjencia e Statistikave të Kosovës në bazë të dhënave zyrtare, muaj pasi muaji ka bërë të ditur për numrin e foshnjeve të cilat u braktisën nga prindërit e tyre.
Braktisja e foshnjeve brenda 6 muajve të vitit 2023 në Kosovë…
Nga të dhënat e ASK-së që përcjellë SuharekaOnline bëhet e ditur se nga muaji janar deri në atë qershor 2023, në Kosovë janë braktisur gjithsej 6 foshnje, prej tyre 4 të gjinisë femërore dhe dy mashkullore.
Ky numër ka shënuar rënie, krahasuar me vitin 2022, ku sipas ASK thuhet se gjatë vitit paraprak në Kosovë janë braktisur gjithsej 13 foshnje, prej të cilave 6 ishin të gjinisë femërore dhe 7 mashkullore.
Rikujtojmë se pas një hulumtimi që ka bërë SuharekaOnline nga viti 2012 deri në atë 2022, në Kosovë janë braktisur rreth 573 foshnje.
Braktisjet dhe kërkesat për adoptimin e foshnjeve nga prindërit suharekas…
Pavarësisht numrit të lartë të braktisjes së foshnjeve, një dukuri e tillë tash e sa vite nuk ndodh në Komunën e Suharekës, një gjë e tillë bëhet e ditur nga statistikat e ASK-së, e poashtu të njejtën e thotë për SuharekaOnline edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Sami Rrakaqi.
Rrakaqi pohon se në Qendrën për Punë Sociale në Suharekë, tash e tri vite nuk është regjistruar asnjë rast i braktisjes së foshnjeve. Poashtu, ai thotë se si QPS-Suharekë kanë pasur kërkesa për adoptimin e ndonjë foshnje, mirëpo në mungesë të tyre, kërkesat nuk janë plotësuar.
Drejtori i QPS-Suharekë, Sami Rrakaqi për SuharekaOnline ka njoftuar se brenda 3 viteve të fundit kanë pranuar 5 kërkesa për adoptimin e ndonjë foshnje të braktisur, mirëpo të njëjtat nuk janë realizuar pasi që në Komunën e Suharekës nuk është regjistruar asnjë fëmijë i braktisur.
Cilët fëmijë konsiderohen të braktisur në Kosovë dhe cilat janë format për mbrojtjen e kësaj kategorie?
Fëmijë i braktisur pa kujdes prindëror, konsiderohet çdo fëmijë i moshës nën 18 vjeç, i cili është i braktisur nga prindërit, të cilët për shkaqe dhe arsye të ndryshme nuk i kryejnë, apo nuk janë në gjendje ti kryejnë obligimet, përgjegjësitë dhe të drejtat prindërore.
Format e mbrojtjes për këtë kategori të fëmijëve janë: kujdestaria, bashkimi familjar, strehimi familjar, strehimi i përkohshëm institucional dhe adoptimi.